• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Policia nuk dha leje për protestën më 6 dhjetor, për Berishën kjo është e pavlefshme dhe protestë do të ketë

Policia nuk dha leje për protestën më 6 dhjetor, për Berishën kjo është e pavlefshme dhe protestë do të ketë
Tiranë, 26 nëntor 2022 (MIA)- Policia e Shqipërisë nuk dha leje për mbajtjen e protestës së njoftuar nga Sali Berisha më 6 dhjetor, kur në Tiranë mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Duke e komentuar vendimin e policisë, Berisha të njëjtën e konsideron vendim nul, ndërsa thekson se asgjë nuk e ndal popullin opozitar të vërshojë në Bulevard më 6 dhjetor, ora 12:00. "Policia e shtetit njoftoi mbrëmë se nuk e njeh Kushtetutën dhe ligjet e shtetit. Në lidhje me këtë njoftim, u kujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve. Por krahas kësaj, ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit protestuesi nuk është i detyruar të informojë policinë. Së treti, policia e shtetit të Edi Ramës po e trajton samitin e liderëve të BE-së sikur këtu po mblidhen diktatorët e botës, në një kohë kur ata që vijnë në Tiranë janë qytetarë të zgjedhur me votë të lirë", thotë Berisha. Shton se Komisioni Evropian për të sqaruar qëndrimin evropian ka kërkuar që të respektohet e drejta për të protestuar. "Prandaj, ai refuzim është i pavlefshëm, është zero. Tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi, i cili është i tmerruar nga opozitarët që do të vërshojnë sheshin më 6 dhjetor në orën 12.00. Do të jetë një protestë që nuk është parë më parë. Do të jetë një protestë nga e cila do të kumbojë kudo thirrja: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa dhe apeli: Edi Rama dhe shteti i drogës nuk përfaqësojnë Shqipërinë", theksoi ai. fb/

QËNDRONI TË LIDHUR