• e enjte, 26 dhjetor 2024

Policia italiane ka arrestuar 55 persona të dyshuar për lidhje me mafian siciliane

Policia italiane ka arrestuar 55 persona të dyshuar për lidhje me mafian siciliane

Romë, 12 mars 2024 (MIA) - Policia italiane ka arrestuar 55 persona të dyshuar për lidhje me mafian siciliane në një aksion të madh kundër krimit të organizuar, njofton DPA.

Të dyshuarit akuzohen për zhvatje, trafik droge dhe posedim të armëve dhe lëndëve plasëse, njoftoi policia italiane.

Bastisjet janë kryer kryesisht në zonën e qytetit sicilian të Kaltaniseta, por edhe në pjesë të tjera të Italisë.

Në operacionin e madh kanë marrë pjesë rreth 500 oficerë të zbatimit të ligjit.

"Operacioni i sotëm është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm për nga sasia, por edhe për nga cilësia", deklaroi për gazetarët Salvatore De Luka nga Prokuroria e Kaltanisetas.

Kosa Nostra është organizata mafioze më e famshme dhe aktive në ishullin italian të Mesdheut. Ka edhe organizata më të vogla kriminale si “Stida”. Fokusi i operacionit ishte në qytetin Gela në Sicili. Aty dy familje të mëdha mafioze lidhën aleancë me Stidën për të organizuar biznesin e drogës.

Familjet mafioze dyshohet se kanë përdorur përfitime të paligjshme për të ndërtuar disa sera për të kultivuar kanabis. Raportohet se droga shitej në zonë ose përdorej si mjet shkëmbimi me mafien kalabreze 'Ndrangeta' për të marrë kokainë.

Sipas De Lukas, armët që posedojnë të dyshuarit janë shumë shqetësuese: “Rezultati është një Kosa Nostra që punon, shpërndan drogë, ka një arsenal të konsiderueshëm armësh dhe është gati të vrasë dhe ta demonstrojë fuqinë e saj”. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR