• e enjte, 26 dhjetor 2024

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vrarë njëri nga grupi që vrau policin në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vrarë njëri nga grupi që vrau policin në veri të Kosovës

Prishtinë, 24 shtator 2023 (MIA) – Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka mbetur i vrarë një nga pjesëtarët e grupit që sulmoi policinë e Kosovës në veri të vendit, ku sot një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u lëndua, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në kumtesën e fundit të policisë së Kosovës thuhet se situata në veri të vendit, konkretisht në atarin e fshatit Banjskë ku ka ndodhur vrasja mëngjesin e sotëm, mbetet e tensionuar dhe shpeshherë me shkëmbime zjarri mes grupit terrorist dhe policisë së Kosovës.

Sipas MPB-së së Kosovës, grupet kriminale herë pas here sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në terren, të cilët “përkundër sulmeve ndaj tyre, vazhdojnë me përkushtimin për krijimin e një perimetri të sigurisë në interes të qetësimit të situatës, garantimin e sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”.

"Sulmuesit profesionalë në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjskë, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së", informon policia përmes kumtesës për media.

Në "vetëmbrojtje dhe gjatë mbrojtjes së qytetarëve", thonë nga policia, njëri nga sulmuesit është vrarë.

"Njësitet policore në linjë me situatën dhe rrezikun e shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone u detyruan t'u përgjigjen grupeve kriminale, ku sipas informacioneve të deritanishme një nga sulmuesit është vrarë”, theksojnë nga policia.

QËNDRONI TË LIDHUR