• e martë, 24 dhjetor 2024

Policë nga Rumania, Hungaria dhe Austria do ta ruajnë kufirin bullgar drejt Turqisë

Policë nga Rumania, Hungaria dhe Austria do ta ruajnë kufirin bullgar drejt Turqisë

Bruksel, 25 nëntor 2024 (MIA) - Pas përfshirjes së plotë të Bullgarisë drejt zonës Shengen, përgjatë kufirit me Turqinë do të jenë të vendosur njëqind policë kufitarë nga Rumania, Hungaria dhe Austria.

Kjo masë është pjesë e marrëveshjes së arritur me Austrinë, si kusht për heqjen e vetos për përfshirjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen.

Siç informoi shefi i policisë kufitare bullgare, Anton Zllatanov, përveç kësaj, Bullgaria do të angazhojë edhe 1.200 policë shtesë për të kontrolluar kufirin drejt Turqisë. Sipas Zllatanovit, këto masa pritet të rezultojnë me "një ulje prej 70 për qind të presionit të emigrantëve".

Pas heqjes së kontrolleve kufitare në aeroportet dhe portet në Bullgari dhe Rumani gjatë udhëtimit drejt vendeve të zonës Shengen më 31 mars të këtij viti, nga 1 janari i vitit 2025 pritet që kontrollet në pikat kufitare tokësore në të dy vendet në zonën e lëvizjes së lirë të BE-së, gjithashtu të shfuqizohen. Vendimi përfundimtar për këtë pritet të merret në takimin e ministrave të Punëve të Brendshme të BE-së më 12 dhjetor.

Zllatanov parlajmëroi se edhe përkundër hyrjes së plotë në zonën Shengen nga viti i ardhshëm, Bullgaria nuk do të heqë infrastrukturën në pikat e saj kufitare me vendet e BE-së, në rast të rinovimit të mundshëm të kontrollit kufitar.

MPB-ja e Bullgarisë kumtoi se në kufirin e vetëm tokësor aktual të Bullgarisë me zonën Shengen, atë me Greqinë, në vend të kontrolleve, do të vendosen patrulla të përbashkëta kufitare bullgaro-greke për "kontrollimin e personave të dyshimtë". Kjo masë, sipas Zllatanovit është me qëllim "të mos lërë përshtypjen se kushdo mund të hyjë në Bullgari pa u kontrolluar".

Ministri i Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Atanas Ilkov, deklaroi se megjithë heqjen e kontrolleve, policia përsëri do të duhet të kryejë kontrolle, por ata do ta bëjë "në mënyrë të padukshme dhe pa penguar lëvizjen e lirë" të njerëzve dhe mallrave. Sipas tij, kontrolle të tilla do të kryhen në bazë të të dhënave operacionale dhe informacioneve të marra nga shërbimet partnere. rq/

Foto: DPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR