• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Plenkoviq pas arrestimit të Beroshit: Ky është një akt tradhtie

Plenkoviq pas arrestimit të Beroshit: Ky është një akt tradhtie

Zagreb, 15 nëntor 2024 (MIA) - Mëngjesin e sotëm është arrestuar tashmë ish ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh. Ekipet e Zyrës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar (USKOK) hynë në shtëpinë e tij në Zagreb pak para orës 7 të mëngjesit dhe filluan bastisjen. Prokurorët evropianë njoftuan se kanë filluar një aksion kundër Beroshit dhe shtatë personave të tjerë për kriminalitet, duke theksuar se Berosh ka marrë ryshfet.

Kryeministri Andrej Plenkoviq e shkarkoi Beroshin dhe thirri sot konferencë për media.

"Siç e dini, sot në mëngjes është arrestuar ish ministri Vili Berosh dhe dy persona të tjerë, në kuadër të aksionit të USKOK për të cilin më ka njoftuar kryeprokurori i shtetit. Nuk jam i njohur me detajet. Është e qartë se bëhet fjalë për vepra penale korruptive. Ajo që dua të them në emër të Qeverisë është që organet kompetente të hetojnë gjithçka", tha kryeministri kroat.

Plenkoviq deklaroi se kjo mund të konsiderohet si një akt tradhtie.

"As ai, e askush tjetër, nuk ka marrë mandat për keqpërdorim të sistemit dhe kryerjen e veprave penale. Edhe pse ky është një moment i pakëndshëm për Qeverinë, ne e mbështesim plotësisht hetimin. Nuk ka vend për korrupsion, kushdo qoftë. Nëse vërtetohet se akuzat janë të sakta, unë e shoh këtë si një akt tradhtie të besimit personal që kam pasur ndaj tij në pesë vitet e fundit, pasi i kam dhënë nderin e të qenit ministër. Shpresoj se ky rast do të shërbejë si një angazhim shtesë në luftën kundër korrupsionit", tha Plenkoviqi.

Ai refuzoi të komentojë detaje rreth rastit.

“E di vetëm atë që e lexova. Aktivitetet hetimore janë sekrete. Ne nuk jemi polici, as Prokurori e shtetit, kështu që nuk kemi njohuri për detajet. Nga ana tjetër, nëse organet kompetente kanë vlerësuar se provat, indiciet dhe disa deklarata janë të tilla që kanë çuar në arrestimin e ministrit, atëherë situata është sigurisht serioze dhe të paktën tregon dyshime për vepra penale”, ka thënë ai.

Plenkoviq theksoi se kontakti i fundit me Beroshin ka qenë dje, kur ministri e ka informuar për rezultatet e bisedimeve me sindikatat.

Për emërimin e ministrit të ri, kryeministri tha: Jepni kohë. Nuk kam fjetur mbrëmë duke menduar se sot do të jem para jush në një konferencë për media dhe se do të kem një takim të tretë të koalicionit këtë javë. qa/

Foto: printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR