• e shtunë, 23 nëntor 2024

Plenkoviq: Kërkova nga Micotakis deportimin e menjëhershëm të të pafajshmëve

Plenkoviq: Kërkova nga Micotakis deportimin e menjëhershëm të të pafajshmëve

Zagreb, 17 gusht 2023 (MIA) - Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq sot deklaroi se do të ofrojë mbështetje maksimale për qytetarët kroatë në Greqi, të cilët u arrestuan për shkak të përplasjeve të tifozëve dhe informoi se ka kërkuar nga kryeministri grek Kirjakos Micotakis që të deportojë të pafajshmit në Kroaci sa më parë, pasi sipas tij nuk është e mundur që të gjithë të arrestuarit të jenë njësoj përgjegjës për ngjarjet në Athinë. 

Në fillim të seancës së Qeverisë Kroate, Plenkoviq iu referua trazirave në Athinë, gjatë të cilave mbeti i vrarë një shtetas grek, ndërsa rreth njëqind shtetas kroatë u arrestuan dhe u burgosën dhe tregoi se dënon ashpër huliganizmin", transmeton HRT.

"Kjo sjellje është një mohim i sportit, dëmton futbollin kroat dhe reputacionin e Kroacisë, sidomos kur shohim se sipas rezultateve, Kroacia është një superfuqi e futbollit. Si shoqëri, ne duhet të dënojmë egërsinë, dhunën dhe huliganizmin, theksoi Plenkoviq dhe shtoi se ai ofron ndihmën maksimale për qytetarët kroatë.

Ai përsëriti se policia kroate kishte njoftuar policinë greke dhe vendet e tjera për ardhjen e mundshme të tifozëve.

“Diplomacia jonë, MVEP (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane) dhe të tjerët janë plotësisht të angazhuar. Jemi në komunikim të vazhdueshëm në nivel kryeministror dhe ministror. Ne do të bëjmë çmos për të përmbushur detyrimin tonë kushtetues, që është mbrojtja e qytetarëve kroatë dhe ofrimi i ndihmës konsullore dhe juridike", tha Plenkoviq.

Në bisedën me Micotakisin, Plenkoviq tregoi se dënon ashpër dhunën.

Shërbimet tona do të komunikojnë me autoritetet greke dhe do të ofrojnë mbështetje shtesë, qoftë për ndihmë mjekësore, qoftë për disa nevoja të tjera, tha kryeministri kroat, duke kujtuar se kjo është një procedurë ligjore që kryhet nga prokuroria greke dhe gjykatat.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me prindërit, opinioni e di se shumica e të arrestuarve janë shumë të rinj, shtoi ai. ls/

Foto: Arkivi i EPA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR