Pistorius: Propozimi i Trampit për Ukrainën është i njejtë me kapitulim
- Ukraina nuk duhet të pajtohet me propozimin e fundit të presidentit amerikan, Donald Tramp për të lëshuar territore të mëdha në këmbim për një armëpushim me Rusinë, pasi kjo do të ishte "kapitulim", deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
- Post By Fami Bajrami
- 08:13, 28 prill, 2025
Berlin, 28 prill 2025 (MIA) - Ukraina nuk duhet të pajtohet me propozimin e fundit të presidentit amerikan, Donald Tramp për të lëshuar territore të mëdha në këmbim për një armëpushim me Rusinë, pasi kjo do të ishte "kapitulim", deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Pistorius dje për televizionin publik gjerman ARD tha se Kievi sipas të gjitha gjasave është i vetëdijshëm se për të arritur armëpushim të qëndrueshëm mund të detyrohet të heqë dorë nga disa territore.
"Por, ata gjithsesi nuk do të shkojnë aq larg - ose nuk duhet të shkojnë aq larg - siç parashikohet në propozimin e fundit të presidentit amerikan", theksoi Pistorius, i cili sipas të gjitha gjasave, do të mbetet ministër i Mbrojtjes në qeverinë e re të koalicionit qeveritar gjerman.
"Kjo që propozon Trampi, Ukraina mund ta kishte marrë një vit më parë. Kjo i ngjan një kapitulimi. Nuk shoh ndonjë vlerë të shtuar në këtë", shtoi Pistorius.
Tramp javën e kaluar në një intervistë për magazinën Tajm deklaroi se Krimea e aneksuar do të mbetet nën kontrollin rus si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme paqesore me Ukrainën. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s