• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pisonero: Ukraina dhe Moldavia i përmbushën kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE

Pisonero: Ukraina dhe Moldavia i përmbushën kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE

Bruksel, 7 qershor 2024 (MIA) - Komisioni Evropian mori vendim që t'i njoftojë vendet anëtare të BE-së se Ukraina dhe Moldavia i ndërmorën të gjitha hapat e nevojshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Union, informon sot zëdhënësja e KE-së për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Ana Pisonero.

Ajo shtoi se çështja e fillimit të procesit të bisedimeve me Ukrainën dhe Moldavinë është në rend dite të mbledhjes së Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së (Koreper), duke potencuar se vendimin përfundimtar për fillimin e bisedimeve me të dyja vendet duhet ta marrin anëtaret e Unionit.

"Ata duhet t'i miratojnë kornizat negociuese, që është parakusht që presidenca e Këshillit të thirrë konferencë ndërqeveritare me çka do të shënohet fillimi i bisedimeve", tha Pisonero.

Ajo theksoi se Ukraina ka arritur progres të caktuar në luftën kundër korrupsionit, harmonizimin me rregulloret e BE-së për kufizimin e fuqisë dhe ndikimit të oligarkëve, si dhe për mbrojtje të të drejtave të pakicave. 

Moldavia, nga ana tjetër, sipas Pisoneros, ka realizuar progres të dukshëm në vetingun e sistemit gjyqësor, pavarësinë e prokurorisë publike, luftën kundër korrupsionit dhe legjislacionit për rrjedhat financiare. 

"Tani mbetet vendet anëtare të diskutojnë dhe të marrin vendim për hapat e ardhshëm", shtoi Pisonero. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR