• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pezeshkian: Nëse zionistët nuk i ndalin krimet, i presin reagime më të ashpra

Pezeshkian: Nëse zionistët nuk i ndalin krimet, i presin reagime më të ashpra

Teheran, 2 tetor 2024 (MIA) - Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian sot deklaroi se Izraeli duhet t'i ndalojë "krimet e veta" ose e pret reagimi më i ashpër.

"Nëse regjimi zionist nuk i ndalon krimet e veta, do të përballet me reagime më të ashpra", deklaroi Pzeshkian një ditë pasi që Irani gjuajti pothuajse 200 raketa ndaj Izraelit, si përgjigje të operacionit izraelit në Liban, kundër Hezbollahut.

Pezeshkijan sot udhëton drejt Katarit, në Samitin Dialog për bashkëpunim aziatik, ku do të bisedohet për marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve dhe do të  nënshkruajë marrëveshje me Qeverinë e Katarit.

"Qëllimi i dytë është të bisedohet për atë se si vendet aziatike mund t'i parandalojnë krimet izraelite në rajon dhe t'i parandalojnë armiqtë të fillojnë kaosin në Lindjen e Afërt", theksoi Pezeshkian.

Pas sulmit të djeshëm iranian, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu deklaroi se Irani ka bërë "gabim të madh" dhe se "do të paguajë për atë".

Armiqësia mes Iranit dhe Izraelit zgjatë mbi katër dekada. Teherani e konteston të drejtën e ekzistimit të Izraelit dhe kërcënon me shkatërrim të "regjimit zionist". Përderisa për Izraelin, Irnai është armiku më i madh.

Irani dhe Izraeli në të kaluarën kanë bashkëpunuar për gati 30 vite. Irani ishte mes shteteve të para që në vitin 1948 e njohi shtetin e Izraelit. Për Tel-Avivin, Teherani ishte aleat kundër shteteve arabe. Përderisa për Iranin, Izraeli ishte baraspeshë e dobishme politike me fqinjët arabë.

Por, pas fitores së Revolucionit islamik në vitin 1979, Irani i anuloi të gjitha marrëveshjet me Izraelin dhe e intensifikoi retorikën kundër Tel-Avivit me qëllim që ta përforcojë ndikimin e vet tek shtetet arabe.

Irani tashmë një periudhë të gjatë e mbështetë Hezbollahun në Liban, Hamasin në Rripin e Gazës, Huthët në Jemen, si dhe grupe të tjera në rajon.

Irani mbrëmë për herë të dytë në afat prej gjashtë muajve e sulmoi Izraelin. Më 13 prill, Irani lansoi fluturake pa pilot dhe predha drejt Izraelit, si hakmarrje për sulmin izraelit ndaj Konsullatës së Iranit në Damask, me ç'rast jetën e humbën 13 persona, mes të cilëve edhe shtatë oficerë të Gardës revolucionare. Sipas Teheranit, sulmi ndaj Izraelit ishte "vetëmbrojtje legjitime" për Kosnullatën e shkatërruar në Siri.

Përderisa sulmi i djeshëm, sipas presidentit Pezeshkian është përgjigje "vendimtare" ndaj agresionit të Izraelit dhe përgjigje për eliminimin e liderëve të Hamasit dhe Hezbollahut, Ismail Hania dhe Hasan Nasralla dhe zëvendës-komandantin e Gardës revolucionare iraniane, Abaz Nilforushan. ab/

fotо: DPА

QËNDRONI TË LIDHUR