• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Pentagoni nikoqir i takimit të 50 aleatëve për ndihmë Ukrainës

Pentagoni nikoqir i takimit të 50 aleatëve për ndihmë Ukrainës

Uashtington, 23 janar 2024 (MIA) - Për herë të parë që kur Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Llojd Ostin krijoi një grup ndërkombëtar mbështetës për Ukrainën në prill të vitit 2022, SHBA-ja do të jetë nikoqire e takimit mujor të rreth 50 vendeve, edhe pse Pentagoni nuk ka para në dispozicion dhe nuk mund të dërgojë municion dhe raketa të nevojshme në Ukrainë për të luftuar pushtimin rus.

Siç raportojnë agjencitë e huaja, SHBA-ja, derisa pret që Kongresi të miratojë buxhetin dhe potencialisht të miratojë financa shtesë për luftën e Ukrainës, do të mbështetet te aleatët dhe ambicia e tyre për të mbushur boshllëkun.

"Në qendër të takimit të sotëm, i cili po mbahet virtualisht, do të jenë nevojat afatgjata. Ndërsa ne nuk jemi në gjendje të ofrojmë ndihmë për sigurinë, partnerët tanë vazhdojnë ta bëjnë këtë", tha zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Sing.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot në Bruksel publikoi një marrëveshje të re të përbashkët me vlerë 1.2 miliardë dollarëve për blerjen e më shumë se 222.000 predhave të kalibrit 155 milimetra. Ky municion është ndër më të përdorurit në këtë konflikt dhe marrëveshja do të lejojë rimbushjen e rezervave të aleatëve që më parë dërguan rezervat e tyre në Kiev.

Pentagoni ka publikuar ndihmën e tij më të fundit ushtarake për Ukrainën më 27 dhjetor, një paketë prej 250 milionë dollarë, e cila përfshin municione nga 155 milimetra, raketa anti-ajrore Stinger dhe armë të tjera nga stoku ekzistues amerikan.

Që atëherë, SHBA-ja nuk ka mundur të dërgojë armë shtesë sepse paratë për të rimbushur ato rezerva janë shpenzuar dhe Kongresi nuk e ka miratuar ende kërkesën për fonde shtesë.

Takimi i sotëm do të mbahet virtualisht pasi Ostin po shërohet në shtëpi pas komplikimeve nga trajtimi i kancerit të prostatës.

SHBA-ja ka ofruar më shumë se 44.2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt 2022. Rreth 23.6 miliardë dollarë nga kjo ndihmë u morën nga rezervat ekzistuese ushtarake dhe gati 19 miliardë dollarë u dërguan në formën e kontratave ushtarake afatgjata, për produkte që do të duheshin muaj për t'u siguruar. rq/ab/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR