• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pendarovski - Zelenski: Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s mbështet kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në Aleancë

Pendarovski - Zelenski: Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s mbështet kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në Aleancë

Shkup, 28 shkurt 2024 (MIA) - Zhvillimi i fundit i ngjarjeve në Ukrainë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të mbështetjes së popullit ukrainas dhe rikthimit të integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht ishin temë e bisedës në takimin e sotëm të presidentit Stevo Pendarovski me homologun e tij ukrainas, Volodimir Zelenski në kuadër të samitit Ukrainë-Evropa Juglindore, në Tiranë.

Siç kumtuan nga Kabineti i presidentit, Pendarovski në takim e rikonfirmoi qëndrimin se Maqedonia e Veriut që nga fillimi e dënon fuqishëm agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që është shkelje e Kartës së OKB-së dhe parimeve të OSBE-së.

Në të njëjtën kohë, shtohet në kumtesën, presidenti Pendarovski deklaroi se vendi iu bashkua Platformës së Krimesë, miratoi Deklaratën për Dënimin e sulmeve ushtarake kundër Integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës dhe iu bashkua Deklaratës së Përbashkët të G-7 në mbështetje të Ukrainës, Koalicionit ndërkombëtar për kthimin e fëmijëve ukrainas dhe mbështeti krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do të hetojë dhe ndjek penalisht krimet e agresionit të kryera nga Federata Ruse.

"Në të njëjtën kohë, presidenti e përshëndeti vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe theksoi se Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, mbetet e përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura dhe mbështet aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në Aleancë", qëndron në kumtesën.

Presidenti ukrainas, siç theksohet në kumtesën, shprehu mirënjohjen për qëndrimin e vendosur dhe mbështetjen e përgjithshme që Ukraina merr nga Maqedonia e Veriut. ls/

Foto: Kabineti i Presidentit

 

QËNDRONI TË LIDHUR