• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pendarovski me besimin më të madh në mesin e qytetarëve, sipas anketës së IRI-t

Pendarovski me besimin më të madh në mesin e qytetarëve, sipas anketës së IRI-t

Shkup, 10 korrik 2023 (MIA) - Presidenti Stevo Pendarovski ka besim të plotë prej 12 për qind dhe 26 për qind besim të pjesshëm te të anketuarit dhe është politikani të cilit më së shumti i besojnë qytetarët, tregon anketa e fundit e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI).

Në vendin e dytë në këtë kategori është Nikolla Gruevski, me 11 për qind besim të plotë, plus 19 për qind besim të pjesshëm, ndërsa në vendin e tretë është Hristijan Mickoski me tetë për qind besim të plotë dhe 21 për qind besim të pjesshëm. 

Anketa e IRI-t gjithashtu tregon mbështetje në rritje për anëtarësimin në BE, nivel të ulët të besimit në sundimin e të drejtës dhe dallime në drejtimin e lëvizjes në nivel lokal dhe kombëtar. 

Hulumtimi është zbatuar në periudhën nga 8 prilli deri më 4 maj të vitit 2023, përmes intervistave ballë për ballë në shtëpitë e të anketuarve, në një kampion përfaqësues kombëtar prej 1.204 të anketuar, të moshës nga 18 vjeç e lart.

Siç theksohet në kumtesë, në pyetjen nëse e mbështesin integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, 79 për qind e të anketuarve të rritur janë përgjigjur me “po”, që paraqet rritje prej gjashtë pikë përqindjeje krahasuar me anketën e zbatuar tetorin e kaluar.

"Rritja e mbështetjes për integrimin në BE është një shenjë se institucionet perëndimore ofrojnë shpresë për një të ardhme të suksesshme... Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e konsiderojnë integrimin me një bllok demokratik siç është BE-ja si çelës për paqen dhe përparimin", deklaroi Pol Memarti,  drejtor i IRI-t për Evropë. 

 Anketa, theksohet, gjithashtu ka treguar se shumica e qytetarëve nuk kanë besim në sundimin e së drejtës. Vetëm 31 për qind e të anketuarve, shtohet, janë pajtuar se ligji njësoj zbatohet për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që është niveli më i ulët deri më tani, ndërsa 65 për qind nuk janë pajtuar me këtë deklaratë.

"Anketa jonë tregon se një numër më i vogël i qytetarëve kanë besim në zbatimin e barabartë të ligjit", tha Mekarti  dhe shtoi se "liderët në Shkup duhet të përqëndrohen në këtë çështje nëse duan të ngjallin besim në qeveri dhe institucionet politike të vendit". 

Përveç kësaj, qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të ndarë në krahasim të drejtimit në të cilin po lëviz vetëqeverisja e tyre lokale në krahasim me drejtimin në të cilin po lëviz shteti. Kështu, thuhet tutje, 28 për qind e të anketuarve besojnë se komuna e tyre po ecën në drejtim të duhur, ndërsa vetëm 14 për qind e mendojnë të njëjtën për vendin si tërësi. ar/

 Foto: Printskrin

 
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR