• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Peleshi në takimin ministror të CEDC-së: Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është zgjidhja e vetme për paqe në rajon

Peleshi në takimin ministror të CEDC-së: Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është zgjidhja e vetme për paqe në rajon

Tiranë, 26 prill 2024 (MIA) - Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në takimin ministror për bashkëpunim mbrojtës të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor (CEDC), në Budapest, theks të veçantë vendosi në sfidat me të cilat po përballet rajoni ynë, nga pasojat e luftës në Ukrainë, ndikimet e jashtme ndaj destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, e posaçërisht e përmendi situatën e tensionuar kohë më parë në veri të Kosovës.

"Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, aq fuqishëm i promovuar dhe kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, është zgjidhja e vetme për mirëmbajtje të integritetit dhe paqes në rajon", tha ai, lajmëroi Ora njus.

Ministri Peleshi theksoi se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë do të vijojë të jetë një nga kontribuueset më të mëdha të bashkëpunimit rajonal, të promovimit të fqinjësisë së mirë, të mbështetjes së parimit të pranimit të njëri-tjetrit dhe gjithëpërfshirjes, të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Ministri Peleshi gjithashtu u shprehu mirënjohjen vendeve të CEDC për fokusin dhe vëmendjen që i kushtojnë Ballkanit Perëndimor, duke vënë theksin te përfshirja e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor e njëherësh duke vlerësuar maksimalisht përfshirjen e Kosovës në këtë nismë.

Ministri i Mbrojtjes, Peleshi, rikonfirmoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes në çdo bashkëpunim rajonal/ndërkombëtar që ka si qëllim përballimin e sfidave të kohës, rritjen e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

Në fjalën e mirëseardhjes, ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Salaj-Bobrovnicki vlerësoi kontributin e iniciativës së CEDC-së në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke theksuar se vendet e Evropës Qendrore e kanë në fokusin e tyre Ballkanin Perëndimor dhe për këtë ky rajon ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të iniciativës CEDC.

Në takim u prezantuan prioritetet dhe kalendari i aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë kryesimit hungarez me CEDC-në. ab/

Foto: Peleshi FB

QËNDRONI TË LIDHUR