• e enjte, 26 dhjetor 2024

PE-ja kërkon operacione më aktive shpëtimi në det nën drejtimin e Fronteks

PE-ja kërkon operacione më aktive shpëtimi në det nën drejtimin e Fronteks

Bruksel, 14 korrik 2023 (MIA) - Parlamenti Evropian në seancën e tij plenare në Strasburg miratoi një Rezolutë me të cilën kërkohet nga vendet-anëtare të BE-së të sigurojnë mjaftueshëm anije, pajisje dhe personel për të kryer operacione më aktive dhe më të koordinuara të kërkim-shpëtimit në ujërat detare, me ç'rast rol kyç  do të kishte Agjenciaa evropiane për mbrojtjen kufitare dhe bregdetare Fronteks

Në dokument, siç njofton i dërguari i posaçëm i MIA-s nga Brukseli, vendeve anëtare u kërkohet të përdorin anijet e organizatave joqeveritare gjatë këtyre operacioneve, si dhe të themelojnë një mision gjithëpërfshirës të BE-së për kërkim-shpëtim nën udhëheqjen e Fronteks.

"Parlamenti dënon ashpër kontrabandën kriminale dhe trafikimin e qenieve njerëzore, ndërsa ripërsërit se rrugët e sigurta dhe të ligjshme janë mënyra më e mirë për të shmangur viktimat në det", thuhet në Rezolutën, e cila propozon të shpërndahet më shumë informacion për rreziqet për njerëzit në vendet e treta në rrugët detare.

Eurodeputetët i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të sigurojë informacion të plotë për të gjitha llojet e mbështetjes që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare ofrojnë për shërbimet kufitare dhe bregdetare të vendeve të treta, kryesisht Libisë, Turqisë, Egjiptit, Tunizisë dhe Marokut.

Me këtë dokument kërkohet nga Komisioni Evropian dhe autoritetet kombëtare të hetojnë pretendimet për "shkelje serioze" të të drejtave themelore të njeriut nga Roja bregdetare libiane dhe nëse vërtetohet, ta ndërpresin bashkëpunimin me të.

Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu që financimi i vendeve të treta të kushtëzohet nga bashkëpunimi i tyre në menaxhimin e flukseve të migracionit dhe në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandistëve të emigrantëve.

Në kuadër të BE-së nuk ka rregullim ligjor për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit, me përjashtim të aktiviteteve të kryera nga Fronteks në aksionet e përbashkëta detare.

Sipas të dhënave të Organizatës ndërkombëtare për emigracion (IOM), që nga viti 2014 në ujërat e Detit Mesdhe janë regjistruar si të zhdukur 27.633 persona, shumica e të cilëve supozohet se janë mbytur. mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR