• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

PE i miratoi rregullat e reja për luftë kundër tregtisë me njerëz

PE i miratoi rregullat e reja për luftë kundër tregtisë me njerëz

Bruksel, 23 prill 2024 (MIA) - Parlamenti Evropian sot me 563 vota "për", shtatë "kundër" dhe 17 "të përmbajtur" i miratoi ndryshimet e rregullativës ligjore për parandalimin dhe luftën kundër tregtisë me njerëz dhe mbrojtjes së viktimave të saj. 

Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, me ndryshimet zgjerohet përfshirja e masave të deritanishme për luftë dhe parandalim të tregtisë me njerëz dhe ofrohet mbështetje më e mirë e viktimave të saja, me çka në nivel të BE-së parashihen sanksione më të rrepta për shfrytëzimin në punë dhe seksual dhe kriminalizohen martesat e dhunshme, birësimi i paligjshëm i fëmijëve dhe shfrytëzimi i amësisë surogate. 

Sipas bashkëraportueses për ligjin, eurodeputetes spanjolle nga radhët e partisë E majta, Euhenia Rodrigez Pallop, tregtia me njerëz sot u bë më e sofistitikuar dhe burimet me të cilat dispononte BE-ja ishin të pamjaftueshme për përballje me të, prandaj u paraqit nevoja për ndryshim të Rregullores për luftë dhe parandalim të kësaj dukurie kriminale. 

Homologia e saj bashkëraportuese dhe bashkëpartiake, eurodeputetja suedeze Malin Bjork vlerësoi se me ndryshimet do të rriten të drejtat e viktimave të tregtisë me njerëz dhe do të ulet shfrytëzimi seksual. 

Me masat e reja parashihet edhe mbështetje adekuate për viktimat e tregtisë me njerëz, strehim i tyre i sigurt dhe garantohet e drejta e tyre për aplikim për azil, ndërsa prokurorive u mundësohet që të mos i ndjekin personat të cilët ishin të detyruar që të bënin vepra penale pa dallim nëse bashkëpunojnë në hetim ose jo. 

Viktimave të tregtisë me njerëz me nevoja të veçanta dhe të fëmijëve pa shoqërim u garantohet mbështetje adekuate, duke përfshirë edhe emërimin e tutorëve. 

Rregullat e reja duhet t'i miratojë Këshilli i BE-së dhe ato do të hynë në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Unionit, pas çka vendet anëtare kanë afat prej dy vjet që t'i zbatojnë në legjislacionet kombëtare. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR