• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Pas takimit me Eskobarin, Kurti thërret në takim liderët opozitar kosovar

Pas takimit me Eskobarin, Kurti thërret në takim liderët opozitar kosovar
Prishtinë, 19 tetor 2022 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar sot liderët e partive më të mëdha opozitare parlamentare në takim, i cili do të mbahej të premten, më 21 tetor, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Lajmin e ka bërë të ditur shërbimi për informim i Qeverisë së Kosovës, pa dhënë detaje rreth temës për të cilën kryeministri dëshiron të diskutojë me opozitën dhe vetëm thuhet se takimi do të mbahet në mesditë në zyrën e Kurtit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është përgjigjur se në takim do të marrë pjesë  lideri i asaj partie, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Memli Krasniqit kanë thënë se ftesës do t'i përgjigjen pasi Kurti të japë sqarime për  temën, e cila do të diskutohet. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në krye me Lumir Abdixhkun, ende nuk ka përgjigje ndaj ftesës së Kurtit.

Pavarësisht se nuk po jepet asnjë informacion për temën e takimit me opozitën, ajo që duket qartë është se kërkesa e Kurtit për konsultime me opozitën vijoi në të njëjtën ditë kur në Prishtinë qëndroi i dërguari special i presidentit amerikan Xho Bajden për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, i cili përveç me kryeministrin, sot është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe me krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së – Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj.

Në një fjalim të shkurtër për media pas takimit në zyrën  kryeministrore, Kurti dhe Eskobar kanë bërë të ditur se mes tjerash kanë biseduar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, ku kryeministri  ka thënë se Kosova është e gatshme për një marrëveshje detyruese me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër të saj".

Emisari amerikan, nga ana tjetër, ka thënë se me Kurtin ka diskutuar ndër të tjera edhe për "implikimet rajonale" nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Diskutuam çështjen e marrëdhënieve me Serbinë, implikimet rajonale të dialogut, rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës", tha Eskobar.

Vizita e sotme e Eskobarit në Prishtinë, në media, por edhe në qarqet e brendshme politike dhe qendrat diplomatike në kryeqytetin e Kosovës, interpretohet si pjesë e intensifikimit të përfshirjes së faktorit ndërkombëtar në procesin e negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë kontekst është edhe biseda telefonike që sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken, ka pasur javën e kaluar me Kurtin, si dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu, në gjetjen e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve dhe lehtësimin e dialogut u përfshinë edhe kancelari gjerman Olaf Sholc dhe presidenti francez Emanuel Makron, të cilët përmes këshilltarëve të tyre u dhanë liderëve kosovarë dhe serbë propozime për mënyrën dhe dinamikën e vazhdimit të negociatave.

Javën e kaluar, në një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, në takim me kryeministrin Kurti, udhëtoi idërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili të hënën, më 17 tetor, po ashtu vizitoi Beogradin dhe u takua me presidentin Vuçiq. ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR