• e martë, 24 dhjetor 2024

Parlamenti gjerman të hënën do të votojë për besim të qeverisë me kërkesë të Sholcit

Parlamenti gjerman të hënën  do të votojë për besim të qeverisë me kërkesë të Sholcit

Berlin, 13 dhjetor 2024 (MIA) - Parlamenti gjerman do të votojë për besimin e qeverisë të hënën, me kërkesë të kancelarit Olaf Sholc, synimi i të cilit është të votohet mosbesim ndaj tij, gjë që është kusht për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Kushtetutës së Gjermanisë, vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme federale nuk mund ta marrin as deputetët e Bundestagut dhe as kancelari. Shpërndarja e parakohshme e parlamentit mund të ndodhë vetëm në dy mënyra.

Në rastin e parë, nëse kandidati për kancelar nuk merr shumicën parlamentare, të paktën 367 vota në Bundestagun me 733 vende, presidenti gjerman mund të shpërndajë parlamentin, por kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.

Në rastin e dytë, kancelari mund të kërkojë votëbesimin e Bundestagut, për të parë nëse ka mbështetje të mjaftueshme nga parlamenti. Nëse nuk merr shumicën, ai i kërkon zyrtarisht presidentit të shpërndajë Bundestagun brenda 21 ditëve.

Pas shpërndarjes së parlamentit, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve. Në Republikën Federale të Gjermanisë deri tani tre herë janë organizuar zgjedhje të  parakohshme - në vitin 1972, 1983 dhe 2005. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR