• e enjte, 26 dhjetor 2024

Parlamenti Evropian ka hapur rrugën për financimin e ndërtimit të gardhit në Evros

Parlamenti Evropian ka hapur rrugën për financimin e ndërtimit të gardhit në Evros

Athinë, 19 prill 2023 (MIA) - Parlamenti Evropian e mbështeti mundësinë e financimit nga BE-ja për vazhdimin dhe zgjerimin e gardhit në Evros, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Janis Ikonomu, pas votimit të sotëm në PE për amendamentin e Partisë Popullore Evropiane (PPE) për financimin e infrastrukturës së kufijve të jashtëm të Unionit, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Parlamenti Evropian hodhi poshtë amendamentin e eurodeputetit nga SIRIZA dhe nënkryetarit të Parlamentit të PE-së, Dimitris Papadimulis për ndalimin e përdorimit të fondeve evropiane për ndërtimin e gardheve në kufijtë e jashtëm të Unionit, duke hapur kështu rrugën për financimin e ndërtimit të gardhit në Evros.

Ikonomu tha se “ra përpjekja e Papadimulisit dhe SIRIZA-s për të vështirësuar vazhdimin e rrethojës në Evros, përmes të cilit forcohet ruajtja e kufijve të Greqisë dhe rrjedhimisht BE-së”.

Ministri grek i migracionit dhe azilit, Notis Mitarakis përmes Tuiterit komentoi se PPE-ja dhe BE-ja kanë dhënë përgjigje.

"Ne ruajmë kufijtë tanë, ne promovojmë migrimin me rregulla. Demokracia e Re në PE dhe qeveria greke në Këshill, në mënyrë të koordinuar dhe me plan jemi përballë me krizën e emigrantëve", ka shkruar Mitarakis. 

Vazhdimi i ndërtimit dhe zgjerimit të rrethojës në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë ka qenë një nga temat për të cilat ka pasur përplasje mes pushtetit dhe opozitës në Greqi në periudhën e kaluar, ndërsa kryeministri grek tha se “me ose pa para evropiane do të ndërtohet gardhi në Evros”.

Para 20 ditëve, pikërisht në Evros u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e rreth 35 kilometrave shtesë.

Siç informoi atëherë MIA, sipas informacioneve të Qeverisë greke, ndërtimi kushton 99,2 milionë euro, ndërsa gardhi i ri “do të forcojë efikasitetin e gardhit ekzistues prej 37,5 kilometra përgjatë kufirit greko-turk”, ndërsa në të ardhmen është planifikuar të arrijë deri në 140 kilometra. qa/   

 

QËNDRONI TË LIDHUR