• e shtunë, 23 nëntor 2024

Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare harmonizojnë buxhetin e BE-së për vitin 2025

Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare harmonizojnë buxhetin e BE-së për vitin 2025

Bruksel, 16 nëntor 2024 (MIA) - Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së sot arritën marrëveshje për buxhetin e Bashkimit Evropian për vitin 2025 i cili sipas propozuesit, Komisionit Evropian, fokusohet në prioritetet kryesore politike të bllokut dhe kontekstin aktual gjeopolitik.

Siç bëri të ditur sot Këshilli i BE-së me marrëveshjen e arritur detyrimet totale në Buxhetin e BE-së për vitin 2025 janë përcaktuar në mbi 199,44 miliardë euro, ndërsa pagesat totale të planifikuara rreth 155,2 miliardë euro.

Sipas rregullave të BE-së, "detyrimet" janë premtime të detyrueshme për të shpenzuar para për aktivitetet e kryera financiare gjatë disa viteve, ndërsa "disbursimet" mbulojnë shpenzimet që dalin nga obligimet në buxhetin e BE-së në vitin që vijon ose në atë të mëparshëm financiar.

Nga mjetet në buxhet, gjithsej 800,5 milionë euro janë planifikuar për mbulimin e nevojave të paparashikuara të BE-së.

Pas arritjes së marrëveshjes, Sekretari shtetëror hungarez për financa publike dhe kryenegociator i Këshillit të BE-së për buxhetin, Peter Banaj ka thënë se është harmonizuar korniza e balancuar buxhetore vjetore duke i siguruar Unionit mjete për të mbuluar angazhimet prioritare, duke marrë parasysh pastaj interesat e tatimpaguesve.

"Buxheti për vitin e ardhshëm siguron një qasje të kujdesshme, duke ruajtur lirinë e mjaftueshme financiare për t'iu përgjigjur rrethanave të paparashikuara. Kjo është qasje reale duke marrë parasysh kontekstin aktual ekonomik dhe gjeopolitik dhe nevojën për t'u përshtatur me sfidat e reja që mund të paraqiten në vitin 2025", ka thënë Banaj, vendi i të cilit është kryesues aktual i Këshillit të BE-së.

Sipas Banajt, buxheti i harmonizuar siguron gjithashtu mjetet e nevojshme për financimin e rindërtimit të vendeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore.

Në Buxhet, përqindja më e madhe ose gati 78 miliardë euro ndahen për obligime në shkallën "Kohezioni, qëndrueshmëria dhe vlerat", mbi 56.7 miliardë për "Burimet natyrore dhe mjedisin jetësor", gati 21.5 miliardë për "Tregun e vetëm, inovacion dhe digjitalizim", 16.3 miliardë për "Fqinjësinë dhe botën", mbi 12.8 miliardë për "Administratën publike", 4.8 miliardë për "Migracionin dhe menaxhimin e kufirit", mbi 2.6 miliardë për "Sigurinë dhe mbrojtjen" dhe gati 6.7 miliardë për qëllime të posaçme.

Pas arritjes së marrëveshjes Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së kanë afat prej 14 ditësh që edhe zyrtarisht ta miratojnë buxhetin e dakorduar. Pritet që Këshilli të miratojë Buxhetin më 25 nëntor, ndërsa Parlamenti Evropian gjatë sesionit parlamentar nga data 25 deri më 28 nëntor.

Për miratimin e Buxhetit vjetor nevojitet shumicë e kualifikuar në Këshillin e BE-së.

Foto: Këshilli i BE-së

 

 

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR