• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Paraqitja e parë e Harisit pas tërheqjes së Bajdenit

Paraqitja e parë e Harisit pas tërheqjes së Bajdenit

Uashington, 22 korrik 2024 (MIA) – Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Haris sot ka dhënë deklaratën e saj të parë që kur presidenti Xho Bajden u tërhoq nga gara presidenciale dhe e propozoi atë të jetë kandidate e demokratëve në zgjedhjet e nëntorit, ndërkohë më shumë se 700 delegatë të partisë deklaruan se planifikojnë ta mbështesin në konventë.

Bajden (81) dje u tërhoq nga gara, nën presionin e frikës në parti se pas duelit televiziv jashtëzakonisht të keq me kandidatin republikan Donald Tramp, nuk do të mund ta mund në zgjedhje.

Më shumë se 700 delegatë - që është më shumë se një e treta e delegatëve të nevojshëm që zyrtarisht të nominohet kandidat për president të demokratëve - thanë se do ta mbështesin Harisin në konventën e Komitetit kombëtar të demokratëve. Ajo duhet të mbledhë më shumë se 1.976 vota për t'u bërë kandidate.

Kamala Haris sot dha deklaratën e parë pas vendimit të Bajdenit që të pensionohet dhe në hapjen e kampionatit kombëtar në atletikë tha se trashëgimia e Bajdenit është "e pashembullt" dhe se ajo është "thellësisht mirënjohëse për shërbimin e tij ndaj kombit".

Ajo zëvendësoi presidentin si folës, pasi ai po shërohet nga koronavirusi në shtëpinë e tij në Delaver, ku është në izolim.

Në fjalimin e saj, Haris përshëndeti "aktin patriotik" të Bajdenit për tërheqjen nga gara presidenciale dhe shtoi se ajo ka për qëllim "të fitojë" nominimin e partisë.

"Do të bëj gjithçka që është në forcën time për të bashkuar Partinë demokrate - dhe ta bashkojë kombin tonë - për ta mposhtur Donald Trampin dhe agjendën e tij ekstremiste "Projekti 2025," tha Haris.

Ajo sot duhet të udhëtojë për në Uilmington ku gjendet shtabi parazgjedhor i Bajdenit për t’u njohur me anëtarët e ekipit të fushatës së tij.

Deri në zgjedhje mbeten diçka më shumë se 100 ditë.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR