• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Paraburgim nga 30 ditë për kosovarët e dyshuar për spiunazh në interes të Serbisë

Paraburgim nga 30 ditë për kosovarët e dyshuar për spiunazh në interes të Serbisë

Prishtinë, 6 qershor 2024 (MIA) - Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar paraburgim  një mujor dy të dyshuarve për veprën penale "spiunazh" në interes të Serbisë, të cilët ishin arrestuar dje në Ferizaj në një aksion të policisë së Kosovës, të zbatuar në bazë të njohurive të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Informacionin për përcaktimin e paraburgimit për të dyshuarit M.Q. dhe B.Sh. e publikoi gjykata e Prishtinës përmes një kumtese për publikun, ndërsa në deklaratën për mediat e konfirmoi edhe zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

Në njoftim thuhet se M.Q. akuzohet edhe për veprën "mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", ndërsa B.SH., vetëm për "spiunazh".

"Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin", thuhet në kumtesë.

Sipas Gjykatës, paraburgimi është vendosur pasi nëse lihen në liri, mund të ikin ose t’i asgjësojnë, fshehin e falsifikojnë provat e veprave penale.

"Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë", thuhet tutje.

Prokuroria Speciale e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka bërë të ditur se të arrestuarit B.Sh. dhe M.Q. kanë nënshtetësi kosovare dhe se hetimet ndaj tyre janë zhvilluar që prej disa muajsh.

"Pas zhvillimit të hetimeve disamujore, (Prokuroria Speciale) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 i KPRK-së", është thënë në komunikatën e Prokurorisë.

Shqiptarët e arrestuar, të identifikuar nga mediat si Bedri Shabani dhe Muharem Qerimi, sipas burimeve të policisë së Kosovës, kishin punuar për struktura të shërbimit të inteligjencës serbe brenda në Kosovë, gjegjësisht kishin bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës Serbe - BIA.

Policia e Kosovës njoftoi se sot gjatë bastisjes në shtëpitë e tyre ka gjetur, mes tjerash, armë, municion, maska dhe gaz maska. 

Sipas mediave, njëri nga të arrestuarit, Shabani, ka qenë doganier në periudhën 1990-99, ndërsa pas luftës ka vazhduar të kryejë funksionin e doganierit gjatë administrimit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. I dyshuari tjetër, Qerimi, ka punuar si nëpunës në policinë e Kosovës deri menjëherë pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Shabani, si bashkëpunëtor i BIA-s që nga vitet e 90-ta, sipas burimeve të portalit "Gazeta Ekpres" nga shërbimet inteligjente të Kosovës, ka pasur për detyrë të mbledhë informacione dhe t'i fabrikojë ato për të dëmtuar imazhin e Kosovës duke ndërtuar të njëjtat narrativa me Serbinë në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike nga konflikti i viteve 1998-99.

Të arrestuarit sipas burimit të "Gazetës ekspres", me vite të tëra ishin ndjekur nga institucionet e sigurisë së Kosovës. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR