• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Papa Françesku dhe kryeimami i Xhakartës bënë thirrje të përbashkët për paqe

Papa Françesku dhe kryeimami i Xhakartës bënë thirrje të përbashkët për paqe

Xhakarta, 5 shtator 2024 (MIA) - Papa Françesku dhe kryeimami i Xhakartës, Nasarudin Umar sot nënshkruan një dokument të përbashkët duke bërë thirrje për veprim kundër "instrumentalizimit të konflikteve të natyrës religjioze" dhe kundër ngrohjes globale.

Kjo ka ndodhur në një takim ndërfetar para xhamisë "Istiklal" në kryeqytetin indonezian.

Në "Deklaratën e Istiklalit", të dy liderët fetarë shprehën shqetësimin për "dehumanizimin" të lidhur me "përhapjen e konfliktit dhe dhunës" dhe bënë thirrje për "aktivitete vendimtare për të ruajtur mjedisin jetësor dhe resurset e tij".

"Nëse shohim më thellë, nëse kuptojmë se çfarë rrjedh nëpër jetët tona (...), do të zbulojmë se të gjithë jemi vëllezër, të gjithë jemi besimtarë, të gjithë jemi në rrugën drejt Zotit, përtej asaj që na ndan”, deklaroi 87 vjeçari Papa.

Takimi ndërfetar u organizua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjashtë feve të njohura zyrtarisht në Indonezi: islamit, budizmit, konfuçianizmit, hinduizmit, katolicizmit dhe protestantizmit.

Papa Françesku dhe kryeimami Nasarudin Umar ndaluan para hyrjes së "Tunelit të miqësisë" - kalim nëntokësor që lidh kompleksin e xhamisë me katedralen fqinje katolike.

Duke u afruar drejt ashensorit që të dërgon drejt tunelit, Papa Françesku tha se kjo ishte një shenjë e fortë se traditat e ndryshme fetare "kanë një rol për të luajtur për të ndihmuar të gjithë të kalojnë nëpër tunelet e jetës me një pamje drejtuar drejt dritës".

Indonezia është vendi me popullsi më të madhe myslimane në botë - 242 milionë. rq/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR