• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Paneli: Strategjia për shëndetin mendor të të rinjve, digjitalizimi i arsimit dhe mbrojtja e fëmijëve në fokus këtë vit

Paneli: Strategjia për shëndetin mendor të të rinjve, digjitalizimi i arsimit dhe mbrojtja e fëmijëve në fokus këtë vit

Shkup, 23 janar 2024 (MIA) - Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë të rinjve përmes të gjitha politikave, programeve dhe masave që zbatojmë. Rritja e masës së ndihmës për të rinjtë, zbatimi i Strategjisë për shëndetin mendor të të rinjve, si dhe investimet kapitale dhe digjitalizimi në arsim, ndër të tjera, është ajo që do të vihet në fokus këtë vit. Kjo u theksua në panelin e sotëm "Mundësitë evropiane përmes modernizimit të politikave sociale, arsimore dhe shëndetësore" në Shkup, në kuadër të konferencës "Viti i mundësive evropiane" të organizuar nga Qeveria.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka bërë të ditur se është drejt përfundimit procedura për furnizimin e 22 autoambulancave të reja, donacion nga BE-ja prej shtatë veturash për ndihmë emergjente mjekësore, dhe ka bërë të ditur se pagat e punëtorëve në sektorin e shëndetësisë do të vazhdojnë të rriten.

"Punojmë intenzivisht në zgjidhjen e të gjitha problemeve. Për herë të parë mundësuam transport me helikopter për rastet emergjente në bashkëpunim me MPB-në. Vitin e kaluar dy herë i rritëm pagat e punonjësve shëndetësor, investojmë në kuadrin tonë të vlefshëm. Pagat do të vazhdojnë të rriten dhe do të sigurojmë punësime për kohë të pacaktuar. Kështu vazhdojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë në shëndetësinë", tha Mexhiti në fjalimin e tij në panel.

Ai përkujtoi se me mbështetjen e UNICEF-it  kanë siguruar të dhëna shkencore për shëndetin mendor të adoleshentëve dhe familjeve të tyre, si dhe gratë në periudhën perinatale.

"Kemi një Strategji për Shëndetin Mendor 2018-2025. Prioriteti i parë i Strategjisë Kombëtare të Shëndetit është shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve, gjegjësisht zhvillimi i një rrjeti institucionesh në vend me ndihmën e Bashkimit Evropian,  gjatë këtij viti priten projekte konkrete. Shëndeti mendor është një epidemi "e heshtur" pas pandemisë Kovid, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Dhe për këtë do të ndjekin shqyrtimin e rekomandimeve nga studimet dhe mënyrën e zbatimit të një pjese të rekomandimeve", theksoi Mexhiti.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri përmendi në panel se elementi më i rëndësishëm për arsim cilësor është vullneti dhe përkrahja institucionale. Siç tha ai, është e rëndësishme që të ketë më shumë investime kapitale, por edhe të vazhdojë sa i përket digjitalizimit në arsim.

Ai informoi se prioriteti i parë sa i përket arsimit për këtë vit janë investimet kapitale. Ai theksoi se buxheti për arsim këtë vit është më i lartë në krahasim me vitin e kaluar, që do të thotë se arsimi është prioritet i Qeverisë.

"Kemi rindërtuar rreth 80 objekte shkollore fillore dhe të mesme, ndërsa vazhduam me punë në pjesën e digjitalizimit në arsim. Faktori i tretë i rëndësishëm për arsimin cilësor është të ketë një staf të motivuar të mësimdhënësve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Në periudhën paraprake kemi pasur rezultate pozitive sa i përket negociatave për paga më të larta në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë, që do të thotë se kemi edhe kuadër të motivuar", ka shtuar Shaqiri.

Ai shtoi se në periudhën e ardhshme do të ketë përparim në karrierën e mësimdhënësve. Ai bëri të ditur se do të vazhdojnë me reforma sipas standardeve evropiane.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska në fjalimin e saj në panel informoi se përkushtimi i MPPS-së është pikërisht në investimin në mbrojtjen e fëmijëve, ndërtimin e kopshteve, por edhe përforcimin e kapaciteteve në kuadrin profesional në edukimin parashkollor.

"Qeveria miratoi Strategji për investime në kapitalin njerëzor, për përforcimin e kapitalit njerëzor. Kapitali njerëzor janë fëmijët tanë. Fëmijët nga mosha më e hershme të mund të kenë qasje në kopshte dhe për këtë angazhimi i palëkundur i MPPS-së është pikërisht në investimin në mbrojtjen e fëmijëve, ndërtimin  e kopshteve por edhe përforcimin e kapaciteteve të kuadrit profesional në edukimin parashkollor. Pas nesh janë 81 kopshte me përfshirje të rritur të 8 mijë fëmijëve, të përfshirë në edukimin parashkollor", tha Trençevska.

Ajo përkujtoi se në dhjetor të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë janë ndarë 4 milionë euro për pesë kopshte shtesë në komunat e Shkupit. 

Ajo përmendi se më tërheqëse është masa për vetëpunësim, të cilën e shfrytëzojnë pikërisht të rinjtë. Siç theksoi, mbështetja financiare në grant të pakthyeshëm që ua japin të rinjve këtë vit do të rritet për 20 për qind më shumë mjete, përkatësisht 6 mijë euro nëse paraqitet  një themelues i një kompanie private ose 12 mijë euro nëse janë partnerë.

Sa i përket shëndetit mendor, Trençevska përmendi Strategjinë për shëndetin mendor të të rinjve, e cila është përgatitur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha ministritë përkatëse dhe organizatat civile të të rinjve, të cilën Qeveria e ka miratuar për vitet 2024-2026 dhe synon zbatimin e saj. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR