Pahor u tërhoq nga kandidatura për të dërguar special të BE-së për dialogun Prishtinë - Beograd
- Ish presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, nuk ka aplikuar për pozitën e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporton Anadolia.
- Post By Sara Ademi
- 14:09, 4 janar, 2025
Lubjanë, 4 janar 2025 (MIA) - Ish presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, nuk ka aplikuar për pozitën e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporton Anadolia.
Sot është afati i fundit për paraqitje në thirrjen e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri për katër të dërguar specialë të BE-së, përfshirë atë për dialogun Prishtinë - Beograd dhe çështje të tjera rajonale.
Sipas Pahor, rrethanat kanë ndryshuar që nga pranvera kur ai shpalli kandidaturën e tij. Ai i përshkroi arsyet në shtatë pika, duke përfshirë pikëpamjet e tij personale.
Sipas tij, është gabim që për dallim nga tri thirrjet tjera për të dërguar specialë, mandat një vjeçar ka vetëm i dërguari për dialogun Prishtinë-Beograd.
Njëkohësisht ai shtoi se nga një njoftim jozyrtar mësoi se duhet të reduktohen mjetet financiare të të dërguarit për dialog dhe kabinetit të tij.
Ai ka treguar gjithashtu se nga bisedat informale ka mësuar se si të dërguar special kërkojnë një diplomat dhe jo një politikan.
"Sigurisht që është një vendim legjitim, por politika e dialogut teknik vazhdon, e cila nuk doli më e mira. Për mendimin tim, sepse rrethanat kanë ndryshuar shumë, ka ardhur koha për një politikan në këtë vend dhe për ndërhyrje politike, sigurisht me udhëzimet e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë. Frika se mund të jetë për shkak të pozicioneve të mia politike në të kaluarën është arbitrare, e pabazë", shpjegoi Pahor.
Sipas Pahor, pikëpamjet e tij personale për zgjerimin ndryshojnë nga politika zyrtare e BE-së.
Ai theksoi se pranimi sa më i shpejtë i Malit të Zi dhe Shqipërisë mund të jetë pengesë, jo nxitje. Diplomati slloven konsideron gjithashtu se është domethënëse dhe e rëndësishme që bashkëbiseduesit në Kosovë dhe Serbi besojnë se zgjedhjet amerikane ishin shumë më të rëndësishme për ta sesa zgjedhjet evropiane.
"Kjo flet shumë për autoritetin e procesit të zgjerimit në rajon", tha Pahor.
Ai i uroi suksese në procesin e zgjerimit ndërmjetësuesit dhe Përfaqësueses së Lartë të zgjedhur, Komisarit për Zgjerim, Komisionit Evropian dhe kryetarit të tij.
"Unë do të vazhdoj të përpiqem për këtë si themelues dhe drejtor i Institutit të Miqve të Ballkanit Perëndimor. Nëse ndonjëri prej tyre mendon se mund të ndihmoj nga ky rol, do të bëj më të mirën”, ka theksuar Pahor. sa/
foto: arkivi