• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Përveç Asadit, kujt tjetër Moska i ofroi strehim

Përveç Asadit, kujt tjetër Moska i ofroi strehim

Londër, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Ish presidenti i Sirisë, Bashar al Asad është në Moskë dhe ka marrë azil në Rusi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov deklaroi se presidenti rus Vlladimir Putin personalisht i dha azil Asadit.

"Kuptohet që vendime të tilla nuk mund të merren pa shefin e shtetit. Ai është vendimi i tij", tha Peskovi, por nuk iu përgjigj pyetjes se ku ndodhet më saktë Asadi.

Në lidhje me mundësinë e kontakteve mes Putinit dhe ish presidentit të Sirisë, sipas Peskovit, "takime të tillë në orarin zyrtar të presidentit nuk ka".

Përveç familjes së Asadit, Rusia kujdesej edhe për familjen e ish presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq i cili në vitin 1999 u akuzua për krime lufte, duke përfshirë gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

Mirjana Markoviq, gruaja e Millosheviqit u largua nga Serbia pasi Millosheviqi u ekstradua në Tribunalin në Hagë, ku u gjykua për krime lufte dhe gjenocid të kryera gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990.

Ajo nuk ishte në dispozicion të organeve juridike të Serbisë, ndërsa në vitin 2005 për të ishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar.

Prej vitit 2003 jetoi në Rusi, ku së bashku me djalin e tij Marko morën azil. Ajo vdiq në vitin 2019, pas 16 vitesh ikje nga drejtësia në Serbi, ku dyshohej për korrupsion dhe krim të organizuar dhe në Rusi u varros.

Askar Akaev, presidenti i rrëzuar nga froni në Kirgistan, erdhi në Moskë pasi iku nga protestat në rrugë të njohura si Revolucioni i tulipanëve në vitin 2005.

Në vitin 2004, kryetari i atëhershëm i Moskës, Jurij Lushkov i siguroi një aeroplan privat Aslan Abashixhes, udhëheqësit separatist të rajonit gjeorgjian të Axharës. Abashixhes, gjithashtu thuhet se jeton në një lagje të Moskës.

Megjithatë, Moska nuk i pranoi të gjithë ata të cilët kërkuan strehim.

Pas humbjes së pushtetit në Gjermaninë Lindore, Erih Honeker dhe gruaja e tij Margot Honeker ikën në Moskë nga një bazë ajrore sovjetike në Gjermani. Ata u strehuan në ambasadën e Kilit, por presidenti Boris Jelcin i ktheu në Gjermani.

Në vitin 1998, lideri i partisë së punëtorëve të Kurdistanit, Abdullah Oxhalan u largua nga Siria në Moskë. Megjithatë, rusët nuk e donin dhe aeroplani u dërgua në Afrikë ku dhe u arrestua.

Dy vjet më parë, Putini nënshkroi personalisht një dekret që i jepte nënshtetësinë ish punonjësit të shërbimeve të inteligjencës amerikane, Edvard Snouden i cili zbuloi informacione për operacionet e fshehta të SHBA-së. Snouden jeton në mërgim në Rusi që nga viti 2013, kur u zbuluan informacione për programin e Agjencisë së sigurisë kombëtare të SHBA-së (NSA) e cila vuri në rrezik miliona qytetarë amerikanë.

Sipas mediave ruse të cilët raportojnë një kumtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme më shumë se 400 shtetas të huaj nga "vendet armike që ndajnë vlerat shpirtërore dhe kulturore ruse dhe që kanë paraqitur një kërkesë, kanë marrë azil në Federatën ruse".

Shumica e kësaj kategorie mbërriti në Rusi nga Gjermania, Letonia, Lituania, Estonia dhe Kanadaja.

Në fund të vitit 2023, MPB publikoi se në nëntë muaj më shumë se 110 shtetas gjermanë dhe 84 qytetarë të vendeve baltike aplikuan për azil të përkohshëm në Rusi për shkak të kërcënimeve që lidhen me mbështetjen e politikës shtetërore ruse. rq/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR