• e enjte, 26 dhjetor 2024

Përsëri shtyhet regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Përsëri shtyhet regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Prishtinë, 30 tetor 2023 (MIA) - Agjencia e statistikave të Kosovës kumtoi se regjistrimi i popullsisë nuk do të fillojë më 1 nëntor, siç paralajmëroi qeveria e Kosovës më shumë se dy muaj më parë dhe kërkoi që të shtyhet për vitin e ardhshëm, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Zëvendës-shefi i ASK-së, Ilir Berisha, thekson se shtyrja e procedurave për blerjen e tabletëve, mosrekrutimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve dhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb në pjesën veriore të vendit, janë disa nga sfidat që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk mund të fillojë regjistrimin e popullsisë më 1 nëntor siç ishte paraparë.

Berisha në intervistë për agjencinë e lajmeve Kosovapress thotë se janë duke e pritur vendimin nga Qeveria për propozimin e dhën për shtyrje.

Në fillim të tetorit i dërguam një kërkesë zyrtare Kryeministrit për rishikimin e datës, pasi jemi vonë me aktivitetet të lidhura me mungesën e tabletave dhe mosangazhimin e 3500 regjistruesve dhe rreth 900 mbikëqyrësve. Është e nevojshme shtyrja e regjistrimit të popullsisë", theksoi Berisha.

Ai thotë se kanë propozuar që procesi i regjistrimit të fillojë nga viti i ardhshëm dhe sipas rekomandimeve ndërkombëtare për kushtet atmosferike.

"Ne kemi bërë një propozim në kërkesën tonë, ndërsa vendimi i mbetet Qeverisë kur të caktojë datën. Propozimi ynë është për vitin e ardhshëm, sepse muaji dhjetor është muaj dimri, kushte të vështira dhe rekomandimet ndërkombëtare janë se nuk rekomandohet regjistrimi në muajt e dimrit, nuk rekomandohet as në muajin gusht, për shkak të temperaturave të larta. Prandaj duhet t'i shmangim dhe të jemi në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare. Kështu që, më 1 nëntor nuk fillon", tha Berisha.

Sfidë tjetër, sipas ASK-së, është mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, përkatësisht pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator.

"Ka një sfidë tjetër, e ajo është mundësia e bojkotit të regjistrimit nga ana e komunitetit serb, gjë që nuk do ta dëshironim, sepse sipas rekomandimeve ndërkombëtare, është e nevojshme që pjesëmarrja të jetë gati 100 për qind e popullsisë së territorit të dhënë dhe një bojkot nga komuniteti serb do të nënkuptonte se rezultatet nuk do të ishin të vlefshme. Për të mos u përballur me këtë, ne kërkuam një afat shtesë. Çështja tjetër është situata që ndodhi në shtator, e cila e komplikoi edhe më shumë punën rreth regjistrimit", tha Berisha. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR