• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Përplasje mes KFOR-it dhe qytetarëve në Zveçan, ka të lënduar

Përplasje mes KFOR-it dhe qytetarëve në Zveçan, ka të lënduar

Prishtinë, 29 maj 2023 (MIA) - Forcat e KFOR-it dhe qytetarët e mbledhur para komunës së Zveçanit në veri të Kosovës sot  janë përplasur pak pas orës 16:00, janë  hedhur gaz lotsjellës dhe bomba shokuese, ndërsa disa janë lënduar. 

Beta ka raportuar se KFOR-i ka kërkuar që të pastrohet vendkalimi për automjetet e njësisë speciale të policisë së Kosovës që të largohen nga vendi para komunës, që serbët nuk e kanë lejuar edhe përkundër thirrjeve të Listës Serbe. 

Konflikti filloi kur pjesëtarët e KFOR-it filluan të shtyjnë njerëzit, duke përfshirë edhe gazetarë që ishin në radhën e parë. 

 Turma u kundërshtua, ndërsa më pas u hodh gaz lotsjellës, që supozohet se e ka bërë   KFOR-i. Janë hedhur bomba shokuese, gaz lotsjellës, si dhe gurë e shishe. Janë dëgjuar të shtëna dhe shpërthime.

Pjesëtarët e KFOR-it arritën ta shtyjnë turmën aq larg saqë i nxorrën automjetet e blinduara të robëruara të njësisë speciale të policisë së Kosovës. 

Janë lënduar disa pjesëtarë të KFOR-it, nuk dihet se sa qytetarë janë lënduar, ndërsa është  lënduar edhe një korrespodent i agjencisë Tanjug.

Gjithashtu, në afërsi të godinës së komunës është përfshirë në flakë edhe një makinë e huaj zyrtare. 

 Të lënduarve iu është dhënë ndihma mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Zveçan, ndërsa ata me lëndime më të rënda janë transferuar në spitalin e Mitrovicës.

Në Leposaviq dhe Zubin Potok nuk ka pasur tensione, ndërsa qytetarët janë shpërndarë dhe kanë paralajmëruar tubim të ri për nesër. ar/

 

QËNDRONI TË LIDHUR