Përleshje në universitetet iraniane për shkak të protestave kundër Hamneit
- Forcat e sigurisë iraniane dhe policët civil u përpoqën mbrëmë të marrin kontrollin mbi universitetet në Iran për të shtypur protestat studentore, të cilat po zhvillohen në ditën e katërt kundër liderit suprem, ajatollahut Ali Hamnei, ndërsa në Gjenevë po përgatitet një raund i ri bisedimesh për programin bërthamor të Iranit.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:34, 25 shkurt, 2026
Teheran, 25 shkurt 2026 (MIA) - Forcat e sigurisë iraniane dhe policët civil u përpoqën mbrëmë të marrin kontrollin mbi universitetet në Iran për të shtypur protestat studentore, të cilat po zhvillohen në ditën e katërt kundër liderit suprem, ajatollahut Ali Hamnei, ndërsa në Gjenevë po përgatitet një raund i ri bisedimesh për programin bërthamor të Iranit.
Sipas raportimeve nga terreni, në disa fakultete kanë shpërthyer përleshje, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar video të rrahjeve midis anëtarëve të milicisë paramilitare Basixh dhe studentëve të Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë në Teheran, raporton Guardian.
Automjete me mitralozë janë fotografuar para Universitetit në Teheran, ndërsa protesta janë regjistruar edhe në Mashhad.
Pothuajse 80 përqind e universiteteve iraniane tashmë kanë kaluar në mësim onlajn, pjesërisht për të parandaluar që studentët të mblidhen dhe të protestojnë kundër qeverisë dhe shtypjes së demonstratave të janarit.
Në pamjet nga Universiteti i Arteve në Teheran dëgjohen slogane si "Do të luftojmë, do të vdesim, do ta rikthejmë Iranin", "Të burgosurit politikë duhet të lirohen" dhe "Hamnei Zahak, do të të groposim të gjallë", duke aluduar tek një tiran mitik nga tradita persiane, shpjegon gazeta britanike. Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohamed Mohebi Azad, ka bërë thirrje për veprim të vendosur kundër protestuesve.
Protestat po zhvillohen para raundit të tretë të bisedimeve për programin bërthamor të Iranit, i cili është caktuar për nesër në Gjenevë mes ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, dhe përfaqësuesit të posaçëm të SHBA-së, Stiv Vitkof.
Bisedimet, të ndërmjetësuara nga Omani, konsiderohen kyçe, pasi presidenti amerikan Donald Tramp po rrit prezencën e tij ushtarake në rajon, përfshirë vendosjen e forcave shtesë detare dhe ajrore. Analistët thonë se suksesi i bisedimeve varet nga fakti nëse SHBA janë të gatshme t’i lejojnë Iranit të pasurojë uranium për qëllime të kufizuara civile, siç janë materialet mjekësore. qa/
Foto: Arkivi i EPA-s