• e enjte, 26 dhjetor 2024

Përkujtohet 40-vjetori i vrasjes së ushtarit Enver Elezi në APJ

Përkujtohet 40-vjetori i vrasjes së ushtarit Enver Elezi në APJ

Shkup, 5 qershor 2023 (MIA) - Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt Akademi përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të vrasjes së ushtarit Enver Elezi, në Armatën Popullore të Jugosllavisë, në Split të Kroacisë. 

Familjarë, arsimtarë, miq e shokë të gjeneratës, e përkujtuan atë ngjarje të kobshme, e cila kishte sjellë vuajte e trishtim për shqiptarët, por edhe krenari dhe shpresë për liri dhe ditë më të mira për kombin shqiptar.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se "obligimi ynë është shpluhurosja e historisë së kombit tonë dhe zbardhja e dëshmive të vërteta, përmes përpjekjeve të vazhdueshme për të zbuluar të dhëna nga arkivat e ndryshme. Me këtë rast, ai shprehu nderimin e tij të thellë për Enver Elezin dhe familjen e tij, si dhe për të gjithë pinjollët e kauzës çlirimtare, apo siç i quan ai “ushtarët e çëshjtes kombëtare".

"Në një kohë të errët për kombin tonë, vitet e 80-ta ishin periudha kur djemtë e rinj dërgoheshin në Armatën Popullore Jugosllave kundër dëshirës së tyre dhe vrasja e tyre e kamufluar shërbente për t’iu futur tmerrin familjeve shqiptare. I brengosur për situatën e shqiptarëve, Enveri futet në rrjetën e organizimeve për kauzën kombëtare duke organizuar demonstrata në Kosovë, për shkak të së cilëve bëhet shënjestër e shpeshtë e Ministrisë së atëhershme të Punëve të Brendshme”, tha Asani.

Mihane Elezi, lexoi një biografi të dëshmorit Enver Elezi, që nga origjina familjare, e deri te angazhimet e tij në shkollë dhe studime, deri në shkuarjen në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Këshilltari shkencor Sevdail Demiri, paraqiti një referat historik, duke theksuar se është harruar një plagë e vjetër e kombit shqiptar, një plagë që kulloi gjak disa dekada, deri në shpërbërjen e plotë të Jugosllavisë, e që na kushtoi jo më pak se 135 jetë të humbura ushtarësh shqiptarë në lule të rinisë. Në mesin e këtyre ushtarëve të stigmatizuar që në fillim të shërbimit ushtarak, ishte edhe Enver (Selman) Elezi (26.04.1964), me origjinë nga fshati Sllatinë e Kaçanikut, me vendbanim në Shkup, i cili u vra 40 vjet më parë, më 4 qershor 1983, derisa po e kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Divulje të Splitit në Kroaci.

Mjaft emocionuese ishte edhe paraqitjet e profesorit të Enverit, Rexhep Bajrami, si dhe famijarit e bashkëveprimtarit Xhabir Zharku, të cilët evokuan kujtimet e tyre për Enver Elezin. Më tej një poezi kushtuar dëshmorit e recitoi Sela Elezi, dhe krejt në fund, në emër të familjes falënderoi të pranishmi i vëllai, Elez Elezi.

Përkundër atij rasti tragjik, familja Elezi asnjëherë nuk u thye, dhe nuk e ndali hovin e rrugës drejt lirisë. Sapo erdhi koha, të gjithë vëllezërit u angazhuan me të gjitha mënyrat në shërbim të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe më vonë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Më 31 maj të vitit 2001, në Betejën e njohur të Mateçit, bie dëshmor vëllai i Enverit, Imri Elezi. Ishte kjo goditja e dytë për këtë familje atdhetare, e cila po kthehej në forcë e krenari, bashkë me kujtimin e përjetshëm për dy djemtë dëshmorë, u tha në këtë akademi përkujtimore. 

QËNDRONI TË LIDHUR