• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Përfundon video- takimi i liderëve evropianë me Zelenskin dhe Trampin

Përfundon video- takimi i liderëve evropianë me Zelenskin dhe Trampin

Berlin, 13 gusht 2025 (MIA) - Liderët evropianë shprehën kënaqësinë për bisedimet e sotme me presidentin amerikan Donald Tramp para samitit të tij me presidentin rus Vlladimir Putin, duke thënë se ata ndajnë kryesisht qëllimet për takimin e së premtes i cili fillon me arritjen e një armëpushimi në Ukrainë.

Kancelari gjerman Fridrih Merc dhe presidenti i Francës Emanuel Makron përcollën qëndrimin e përbashkët se vendimet për Ukrainën nuk mund të merren pa Ukrainën, duke theksuar se ajo duhet të përfshihet në çdo vendim përfundimtar. Ata gjithashtu mbështetën idenë për një samit të mundshëm trepalësh në të ardhmen me Trampin dhe Putinin.

Makroni deklaroi se Trampi do t'i kërkojë Kremlinit ndërprerjen e zjarrit gjatë takimit me Putinin.

"Vullneti amerikan është që të arrihet armëpushim në fund të këtij takimi", tha Makroni duke shtuar: "Çdo gjë që ka të bëjë me Ukrainën duhet të diskutohet me Ukrainën". Ai theksoi se është në favor të përfshirjes së plotë të presidentit Volodimir Zelenski në negociatat midis Rusisë dhe SHBA-së.

Makroni tha se biseda me Trampin ka mundësuar që presidenti amerikan të jep qëllimet e tij për takimin e 15 gushtit, ndërsa liderët evropianë të shpjegojnë pritshmëritë e tyre. "Është mirë që Rusia dhe SHBA bisedojnë", tha ai, "por është e rëndësishme që Evropa të dëgjohet kur bëhet fjalë për çështje që prekin kontinentin, siç është lufta në Ukrainë".

Pas bisedimeve, kancelari gjerman Fridrih Merc tha se është "shumë i lumtur" që presidenti Zelenski mundi të vizitonte Berlinin dhe së bashku të zhvillojnë video-takim me liderët evropianë dhe Trampin. Ai kujtoi se më 13 gusht, 64 vjet më parë, filloi ndërtimi i Murit të Berlinit - "simbol i ndarjes së Evropës", duke shtuar se "invazioni rus i Ukrainës përsëri e ka hapur atë ndarje".

Merci theksoi se Evropa po bën gjithçka për të përcaktuar agjendën për takimin e ardhshëm midis Trampit dhe Putinit në Alaskë dhe shprehu shpresë për suksesin e samitit. “Në Alaskë interesat e sigurisë së Evropës dhe Ukrainës duhet të mbrohen", tha ai.

Zelenski, nga ana tjetër, falënderoi Mercin dhe Gjermaninë për mbështetjen e tyre ushtarake, si dhe të gjithë partnerët - përfshirë edhe Ursula fon der Lajenin, Mark Ruten, Xhorxha Melonin dhe Emanuel Makronin duke theksuar: "Të gjithë liderët nga e gjithë bota duan një gjë - paqe në Ukrainë."

"Çdo gjë që lidhet me Ukrainën duhet të diskutohet me Ukrainën - duhet të jemi pjesë e bisedimeve", tha Zelenski duke shtuar se "Trampi na mbështeti sot dhe se SHBA është e gatshme të na mbështesë".

Ai bëri thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë nëse Kremlini nuk pranon armëpushim. - Putini po bën blof, tenton të shtyjë përgjatë gjithë vijës së frontit. Rusia pretendon se mund ta okupojë gjithë Ukrainën - kjo nuk është e vërtetë. Putini nuk dëshiron paqe - dëshiron ta okupojë vendin tonë", thekson presidenti ukrainas.

Samiti midis Trampit dhe homologut të tij rus do të mbahet në bazën e përbashkët Elmendorf-Riçardson në Alaskë, kumtoi sot një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR