• e shtunë, 23 nëntor 2024

Përforcohen masat e sigurisë para vizitës së nesërme të Blinkenit në Tiranë, janë angazhuar mijëra efektivë të policisë

Përforcohen masat e sigurisë para vizitës së nesërme të Blinkenit në Tiranë, janë angazhuar mijëra efektivë të policisë

Tiranë,14 shkurt 2024 (MIA) - Masa të përforcuara të sigurisë nga sonte vendosen në Tiranë para vizitës së nesërme të sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, që është vizita e tij e parë në Shqipëri.

Për sigurinë do të kujdesen mbi një mijë efektivë të policisë, përfshirë edhe pjesëtarët e njësiteve speciale.

Policia ka publikuar listë të rrugëve dhe shesheve ku është e ndaluar lëvizja dhe parkimi i automjeteve, që hyjnë në fuqi nga sonte në ora 19.30 dhe do të vlejnë deri nesër në ora 20.

Ndërkohë, metropoli shqiptar është gati të mirëpresë mysafirin e shquar. Në bulevardin “Dëshmorët e kombit” ku do të kalojë Blinken janë vendosur flamujt shqiptarë dhe amerikanë, ndërsa në Fakultetin Politeknik është vendosur një pankartë me imazhin e zyrtarit amerikan me mbishkrimin “Mirësevini zoti Blinken”.

Mediat raportojnë një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Methju Miler, i cili duke komentuar vizitën tha se Shqipëria është “një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor, si dhe një zë i fortë për mbrojtjen e Ukrainës".

Sipas tij, vizita konfirmon fuqinë e marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë. Blinken do të mbërrijë në Tiranë në orën 11:00 dhe do të qëndrojë për rreth 8 orë. Ai do të takohet me shefin e shtetit Bajram Begaj dhe me kryeministrin Edi Rama.

Kjo është vizita e gjashtë e Sekretarit amerikan të Shtetit në Shqipëri. mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR