• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Përfaqësuesi i Hamasit: Nuk ka përparim në negociatat në Kajro për armëpushimin në Gazë

Përfaqësuesi  i Hamasit: Nuk ka përparim në negociatat në Kajro për armëpushimin në Gazë

 Kajro, 8 prill 2024 (MIA)  - Një përfaqësues i grupit islamik palestinez Hamas për mediat britanike deklaroi se nuk është arritur përparim në raundin e ri të negociatave për armëpushim në Rripin e Gazës që po mbahet në Kajro, ku marrin pjesë delegacione nga Izraeli, Katari dhe SHBA-ja.

"Nuk ka ndryshim në qëndrimin e pushtuesve dhe për këtë arsye nuk ka ndodhur asgjë e re në negociatat në Kajro", deklaroi përfaqësuesi i Hamasit, i cili dëshiroi  të mbetet anonim. 

 "Deri më tani nuk ka asnjë përparim", shtoi ai.

 Paraprakisht sot televizioni "Al-Qahera", i lidhur ngushtë me qeverinë egjiptiane, citoi një burim të lartë në Kajro  se palët negociuese kishin arritur një marrëveshje për disa çështje.

 Izraeli dhe Hamasi dje dërguan përfaqësues në kryeqytetin egjiptian,  pasi shefi i CIA-s Uilliam Barns, atje  mbërriti të shtunën. Prania e tij është një shenjë e qartë e presionit të SHBA-së ndaj qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu që të lidhë një marrëveshje për lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi dhe lehtësimin  e krizës humanitare në Rripin e Gazës, vënë në dukje mediat britanike.

 Izraeli dhe Hamasi nga tetori dhe fillimi i luftës nuk kanë mundur t'i kapërcejnë dallimet. Hamasi dëshiron që Izraeli të përfundojë ofensivën e tij në Gazë dhe ta tërheqë të gjithë ushtrinë e tij nga enklava palestineze. Tel Avivi, nga ana e tij, kërkon një shkëmbim të të gjithë pengjeve për një numër të caktuar palestinezësh të mbajtur në burgjet izraelite, pa u angazhuar për t'i dhënë fund luftës.

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR