Për shkak të një sulmi mbi 1.100 ndërtesa banimi në Kiev janë pa ngrohje
- Më shumë se 1.100 ndërtesa banimi në Kiev dhe zonën përreth janë pa ngrohje për shkak të sulmit rus ndaj infrastrukturës në kryeqytetin ukrainas, njoftoi prefekti, Vitali Kliçko në platformën Telegram.
- Post By Melahat Baftija
- 19:44, 3 shkurt, 2026
Kiev, 3 shkurt 2026 (MIA) - Më shumë se 1.100 ndërtesa banimi në Kiev dhe zonën përreth janë pa ngrohje për shkak të sulmit rus ndaj infrastrukturës në kryeqytetin ukrainas, njoftoi prefekti, Vitalij Kliçko në platformën Telegram.
Temperatura e ajrit këtë pasdite ishte minus nëntë gradë Celsius, ndërsa pritet të bjerë në minus 17 gradë Celsius gjatë natës.
Kliçko tregoi se sulmet ruse të natës së kaluar dëmtuan sistemin e ngrohjes së qytetit.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, në takimin e sotëm me sekretarin e përgjithshëm Mark Rute në Kiev, deklaroi se Rusia shkeli armëpushimin energjetik dhe nisi një sulm masiv.
Rusët kanë injoruar edhe një herë përpjekjet e palës amerikane. Siç e dini, pati një kërkesë nga presidenti i SHBA-së për t'u përmbajtur nga sulmet ndaj sektorit të energjisë dhe infrastrukturës kyçe gjatë takimit të ekipeve tona negociuese. Presidenti i SHBA-së tha të shmangen sulmet për një javë. Ky ishte një vendim shumë i rëndësishëm. Ai armëpushim energjetik filloi të premten, dhe mbrëmë, siç pamë, rusët e shkelën premtimin e tyre", theksoi Zelenski.
Ndërsa ministri ukrainas i Energjisë, Denis Shmihal, deklaroi se sulmet ruse të natës së kaluar kishin për qëllim ekskluzivisht objektet civile dhe i vlerësoi ato si një "gjenocid dimëror në tentativë".
Mbrëmë, Rusia kreu një sulm të kombinuar duke përdorur lloje të ndryshme raketash të lëshuara nga ajri dhe nga toka, si dhe dronë sulmi. Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 450 nga 521 raketat e lëshuara.
Nesër dhe të enjten, negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe, vazhdojnë në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, për të gjetur zgjidhje paqësore. Në bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Abu Dabi do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi special i SHBA-së, Stiv Vitkof. mb/
Foto: EPA