• e enjte, 26 dhjetor 2024

Për shkak të atmosferës së tensionuar, Parlamenti i Shqipërisë e ndërpreu seancën

Për shkak të atmosferës së tensionuar, Parlamenti i Shqipërisë e ndërpreu seancën

Tiranë, 13 shkurt 2013 (MIA) - Pas situatës së tensionuar që krijuan deputetët demokratë nga krahu i Sali Berishës, duke bllokuar foltoren e Kuvendit, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla e ndërpreu seancën.

Ende pa nisur ka pasur përplasje mes sigurimit dhe deputetëve të përjashtuar për sjellje të pahijshme në seancën e kaluar të cilët me dhunë tentuan të futen në Kuvend.

Seanca filloi me një minutë heshtje në shenjë respekti për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri, pas së cilës në skenë dolën deputetët e Berishës, mes atyre edhe ai, me akuza, ofendime, fishkëllima, ndërsa pati edhe ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike.

Deputetët e Berishës nuk lejuan që në foltore të dalë deputet i shumicës qeveritare.

Pas disa ndërprerjeve të shkurtra, pas dy orësh nga fillimi i seancës, kryeparlamentarja Nikolla e ndërpreu seancën.

Pasi u largua nga shtëpia ligjvënëse, Berisha i cili është deputet, falënderoi pjesëmarrësit në protestë para parlamentit duke thënë se ata “po mbronin kauzën e drejtë” dhe shtoi se Rama është tradhtar i kombit.

"Së pari, dua t'ju falënderoj në mënyrën më të përzemërt, mirënjohje më të thellë. Prania juaj këtu ka qenë mbështetje e jashtëzakonshme për ne, për demokratët shqiptarë kudo që janë. Ne e mbrojmë kauzën e drejtë. Prania juaj masive i detyroi të ndërpresin seancën e Kuvendit që tashmë është e vdekur, ashtu si Rama tradhtari i kombit", tha Berisha.

Protesta e pasdites së sotme vjen pas protestës masive të së shtunës që u mbajt para qeverisë. Të dyja protestat kaluan relativisht qetë, vetëm me hedhjen e mjeteve piroteknike dhe tentativa të shkurtra për të thyer kordonin e policisë. Më parë, protesta masive antiqeveritare, të mbështetura nga Ilir Meta u zhvilluan më 6 dhjetor kur në Tiranë u mbajt Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë dhe më herët më 7 korrik.

Ndryshe sot në Shqipëri ka qenë ditë zie kombëtare në shenjë respekti për të prekurit nga tërmeti. Flamujt u ulën në gjysmështizë dhe në të gjitha qytetet u ndezën qirinj. Rama këtë e bëri në ballkonin e qeverisë. vt/

 

QËNDRONI TË LIDHUR