• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Ukrainës nevojiten 383 miliardë euro, vlerësuan Qeveria ukrainase, Banka Botërore, KE-ja dhe KB-ja

Për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Ukrainës nevojiten 383 miliardë euro, vlerësuan Qeveria ukrainase,  Banka Botërore, KE-ja dhe KB-ja

Bruksel, 23 mars 2023 (MIA) - Kostot e nevojshme për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Ukrainës, e cila është objektivi i pushtimit rus, janë rritur në 411 miliardë dollarë (383 miliardë euro), të vlerësuara nga Qeveria ukrainase, Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

Sipas një vlerësimi të ri të publikuar sot, duke mbuluar periudhën nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022 deri në përvjetorin e tij të parë, mjetet e rindërtimit dhe rimëkëmbjes do të nevojiten gjatë 10 viteve të ardhshme dhe do të sigurohen nga fondet publike dhe private.

Shuma e deklaruar është 2.6 herë më e lartë se Bruto Prodhimi Vendor i vlerësuar i Ukrainës në vitin 2022, kumtoi Komisioni Evropian.

Vlerësimi i dytë i shpejtë i dëmeve dhe nevojave ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të efekteve të luftës në 20 sektorë të ndryshëm, duke specifikuar dëmtimet e drejtpërdrejta fizike në infrastrukturë dhe ndërtesa dhe duke përshkruar ndikimin në jetën e njerëzve.

Vlerësohet se Ukrainës do t'i nevojiten 14 miliardë dollarë këtë vit për investime prioritare në rindërtim dhe rimëkëmbje.

Kryeministri ukrainas Denis Shmigal tha se përgatitja e vlerësimit të dytë të shpejtë të dëmeve dhe nevojave është "një element i rëndësishëm në strategjinë e rindërtimit të Ukrainës".

"I jemi mirënjohës Bankës Botërore për analizën e plotë, e cila do të bëhet një mjet i rëndësishëm për ne dhe partnerët tanë në zbatimin e projekteve të rimëkëmbjes, të cilat tashmë kanë filluar”, tha Shmigal. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR