• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Osmani: Taktikat e Serbisë për destabilizim të rajonit nuk e ndryshojnë realitetin e Kosovës

Osmani: Taktikat e Serbisë për destabilizim të rajonit nuk e ndryshojnë realitetin e Kosovës

Prishtinë, 15 nëntor 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i quajti "taktika" për destabilizim masat që i miratoi Serbia nën tetor lidhur me juridiksionin e saj ndaj rajoneve me popullatë shumicë serbe në Kosovë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në deklaratë për agjencinë e lajmeve KosovaPres, Osmani sot theksoi se Serbia nuk do të mund të arrijë asgjë për ta ndryshuar realitetin e pandryshuehsëm të Kosovës së pavarur.

"Serbia nuk ka asnjë juridiksion as gjyqësor e as territorial mbi Kosovën që nga viti 99. Edhe ende pa u shpallur Kosova e pavarur më 2008, rezoluta 1244 ia ka marrë çdo lloj juridiksioni në atë kohë Jugosllavisë dhe fillimisht ka vendosur kompetencat në kuadër të prezencës civile dhe ushtarake dhe nga viti 2008 i vetmi shtet që ka juridiksion mbi këtë territor është Republika e Kosovës, gjë e konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë", tha Osmani.

Sipas saj, qëllimi i Serbisë është ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por tërë rajonin, për t'i arritur qëllimet e veta hegjemoniste.

"Këto janë tendenca, taktika të Serbisë për ta destabilizuar  Kosovën dhe rajonin dhe ajo që dëshmohet më së miri përmes këtyre veprimeve është që Serbia akoma e ka mendësinë e viteve 90, një mendësi që synon t’i destabilizojë shtetet fqinje, megjithatë realiteti është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm dhe Serbia nuk do të mund të arrijë asgjë me këtë", ka thënë Osmani.

Qeveria serbe ka miratuar një projektligj për, siç e ka quajtur ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera të territorin e Kosovës. Përveç këtij, ajo ka miratuar edhe një vendim përmes së cilit e shpalli Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Ndërkohë, edhe përkundër  të gjitha kritikave të ndërkombëtarëve, këta të fundit nuk arritën ta bindnin Serbinë që të heqë dorë nga to. Beogradi zyrtar ka shprehur qëndrimin se do ta mbajë në fuqi vendimin për ta shpallur Kosovën “zonë të veçantë sociale” dhe se do ta miratojë në Kuvend ligjin për juridiksionin mbi veprat penale në Kosovë. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR