• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Osmani me ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Gofus: Kosova në NATO do të kontribuojë për stabilitetin e gjithë rajonit

Osmani me ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Gofus: Kosova në NATO do të kontribuojë për stabilitetin e gjithë rajonit

Prishtinë. 29 gusht 2024 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në takimin e sotëm me Ndihmës  Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Tomas Gofus theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë, njofto korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Siç kumtoi kabineti presidencial, Osmani në takimin me Gofus "falënderoi NATO-n për përkushtimin e deritanishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin dhe në këtë kontekst ritheksoi synimin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”.

Në takim, siç theksohet në kumtesën, u diskutua dhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në një pjesë jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe një pjesë veriore, me shumicë serbe.

“Presidentja Osmani e përsëriti qëndrimin se ura duhet të hapet, por theksoi rëndësinë e mbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në kumtesën.

Presidentja e Kosovës e vlerësoi hapjen e urës si një veprim që synon normalizimin dhe integrimin në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Gjatë ditës, Ndihmës Sekretari i NATO-s, Gofus, i cili ka mbërritur mëngjesin e sotëm për vizitë në Kosovë, fillimisht është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutash, ndërsa pas pritjes te presidentja Osmani, ka shkuar në Qeverinë e Kosovës në takim me kryeministrin Albin Kurti. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR