Osmani: Kosova mund ta zbatojë njëanshëm Marrëveshjen e Ohrit, me garanci nga partnerët
- - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se Kosova mundet njëanshëm ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit me Serbinë dhe Aneksin e Ohrit, nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitojë njohje të reja të pavarësisë dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, informon korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Fitore Curri
- 13:27, 16 nëntor, 2024
Prishtinë, 16 nëntor 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se Kosova mundet njëanshëm ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit me Serbinë dhe Aneksin e Ohrit, nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitojë njohje të reja të pavarësisë dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, informon korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Në një deklaratë për agjencinë KosovaPres, Osmani thotë se, për momentin nuk ka përgjigje konkrete nga bashkësia ndërkombëtare për një gjë të tillë.
"Është qëndrim vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve të tjera. E kam thënë, ka të bëjë me mënyrat të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët, edhe pse Kosova pakon e Ahtisaarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme, ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kjo është një situatë e re. Por deri më tani nuk ka përgjigje konkrete nga bashkësia ndërkombëtare për një gjë të tillë”, ka theksuar Osmani.
Megjithatë, thotë ajo, Serbia nuk mund të sillet sikur nuk ka detyrime dhe se nuk mund të kërkohet zbatim vetëm nga Kosova.
"Marrëveshja bazike, e cila është arritur në Bruksel, dhe Aneksi i Ohrit parashohin obligime për të dyja palët. Nuk mund të kërkohet zbatim i detyrimeve vetëm për njërën palë, kurse pala tjetër, pra Serbia, e cila formalisht është tërhequr nga marrëveshja, të rrijë kinse nuk ka asnjë detyrim. Marrëveshja ka kuptim vetëm në qoftë se të dyja palët e zbatojnë. Pra, në këtë rast, Kosova ka ndërmarrë detyrime jashtëzakonisht të dhimbshme do të thosha nëpërmjet neneve të caktuara të kësaj marrëveshjeje, mirëpo ato kanë kuptim vetëm në qoftë se edhe Serbia zbaton marrëveshjen”, ka potencuar Osmani. fc/