• e premte, 05 korrik 2024

Osmani ka biseduar me presidentin gjerman për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Osmani ka biseduar me presidentin gjerman për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë, 15 maj 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Gjermanisë, Frank Valter Shtajmajer, në të cilën është diskutuar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshilin e Evropës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Osmani përmes platformës "X", ish Tuiter, informoi se në bisedën e djeshme e ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në atë institucion, jo vetëm për shtetin, por edhe për kontinentin evropian. 

"Dje, kam biseduar me presidentin e Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer, për të diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. E kam cekur rëndësinë kritike për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, për të siguruar që gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt të jetë e mundur nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte fitore vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat qëndron fuqishëm", ka shkruar Osmani.

Gjermania dhe Franca kanë qenë dy prej vendeve që kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me dërgimin në Kushtetuese të drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të mblidhet më 16 dhe 17 maj. Votimi për anëtarësimin e Kosovës ende nuk gjendet në agjendë. Kosovës i duhet kaluar edhe ky votim për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR