• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Osmani drejtuar Hillit: Serbia as që mund të ëndërrojë anëtarësim në NATO

Osmani drejtuar Hillit: Serbia as që mund të ëndërrojë anëtarësim në NATO

Prishtinë, 20 mars 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ambasadorit amerikan në Beograd, Kristofer Hill,   se "Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova", ka thënë se "ai që thotë se Serbia është afër NATO-s i fyen jo vetëm shtetet demokratike...por edhe viktimat  e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në  një deklaratë për gazetarët pas fjalimit të sotëm në Konferencën "Java e Gruas, Osmani tha se "ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s se Serbia, e ai shtet është Rusia e Putinit".

"Një shtet si Serbia, që vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO, mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, lëre më që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s", ka deklaruar Osmani. 

Ambasadori Hill për televizionin shtetëror serb "RTS" mbrëm[ dekaroi "nëse shikohet se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s se Kosova, në këtë moment po, kjo është shumë e vërtetë për tani". 

Osmani ka thënë se Serbia, për shkak se është kundër vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur asnjëherë gatishmëri të anëtarësohet në Aleancë. 

"Është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe se është kundër NATO-s. E treta Serbia është shtet që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, që vazhdimisht tenton të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinë përbrenda, të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi. Kjo nënkupton se ky është një shtet njësoj si Rusia, që shkel parimet e vlerat e fqinjësisë së mirë, por në të njëjtën kohë ndërmerr veprime konkrete të dhunshme, duke i konsideruar fqinjtë përreth si shtete të përkohshme e jo si shtetet të përhershme siç jemi ne", ka thënë Osmani. 

Ajo theksoi se Serbia "kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale". 

"Është shtet që ka kryer gjenocid, është shtet që ka kryer krime kundër njerëzimit. Është shtet që ka kryer krime lufte e akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni të them troç, kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, e cila është e njëjtë sot siç ka qenë edhe para disa dekadave", tha Osmani. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR