• e shtunë, 23 nëntor 2024

Osmani diskuton me ministren gjermane Luhrmann për masat e BE-së dhe Procesin e Berlinit

Osmani diskuton me ministren gjermane Luhrmann për masat e BE-së dhe Procesin e Berlinit

 Prishtinë, 16 shtator 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren e Gjermanisë për Evropë dhe Klimë, Ana Lurman, me të cilën ka biseduar për rëndësinë e heqjes së masave të Bashkimit Evropian  ndaj Kosovës, të cilat, sipas Osmanit janë të padrejta dhe më së shumri i prekin qytetarët e Kosovës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

 Në takimin me ministren Lurman, e cila mbërriti sot në Prishtinë, Osmani, sipas njoftimit të Kabinetit të saj, ka biseduar edhe për Procesin e Berlinit, "tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe mbështetjen gjermane për integrimet euroatlantike" të Kosovës.

 "Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e heqjes  së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat në mënyrë të padrejtë i prekin më së shumti qytetarët e vendit. Në takim u bisedua edhe për procesin e Berlinit, ku presidentja Osmani ritheksoi mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala prej tij.  Osmani, në prag të lëshimit zyrtar në përdorim të Qendrës Rajonale për Gra, Paqe dhe Siguri, shprehu rëndësinë e rritjes së partneritetit me Gjermaninë për iniciativa të përbashkëta që synojnë avancimin e mëtejmë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë", thuhet në njoftim e Presidencës së Kosovës.

 Gjermania kohëve të fundit po përpiqet të gjejë një mundësi që Kosova të heqë sanksionet për importin e mallrave serbe, të vendosura më shumë se një vit më parë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për ndryshimin e statusit të përfaqësimit të Kosovës në CEFTA.

 I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë në fund të muajit të kaluar, paralajmëroi se Kosova mund të lihet jashtë Procesit të Berlinit, duke thënë se "nëse Kosova e bllokon CEFTA-n, do të jetë shumë e vështirë t'i bashkohet Planit të rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së".

 Osmani së fundi ka konfirmuar se ekziston rrezik që Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR