• e shtunë, 23 nëntor 2024

Osmani: Ashtu siç dështuan në Kosovë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë

Osmani: Ashtu siç dështuan në Kosovë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë

 Prishtinë, 10 tetor 2024 (MIA) - Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se ashtu siç ka dështuar Serbia në Kosovë, Rusia do të dështojë në Ukrainë, lajmëroi korrespondemti i MIA-s nga Prishtina.

 Në një postim në rrjetin social "Fejsbuk", Osmani ka shkruar për diskutimet që i  ka bëtë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, i cili është mbajtur dje. 

"Agresori nuk duhet asnjëherë të shpërblehet me tokën e viktimës! Ashtu siç dështuan në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Bosnje-Hercegovinë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë. Liria dhe demokracia gjithmonë do të triumfojnë", ka shkruar Osmani.  

 Ajo ka thënë se në këtë samit ka theksuar se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjell kurrë paqe të qëndrueshme.

 "Dje, para liderëve të tjerë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, theksova se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjellë kurrë paqe të qëndrueshme. Solidariteti ynë për popullin e Ukrainës është i rrënjosur thellë në vet përvojën e dhimbshme të popullit tonë. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e popullit ukrainas për liri, për sovranitet dhe integritet territorial. Deri në fitore!", ka shkruar Osmani.

Përfaqësuesit e 12 vendeve të Evropës Juglindore të mërkurën vonë miratuan Deklaratën e Samitit për Ukrainën në Dubrovnik të Kroacisë, ku mori pjesë edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e dënuar agresionin rus dhe duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR