• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Orbani për "Bild"-n: Putini në asnjë rast nuk do të sulmojë vend të NATO-s

Orbani për

 Budapest, 8 korrik 2024 (MIA) - Kryeministri hungarez Viktor Orbani në një intervistë për gazetën "Bild" deklaroi se, sipas tij, është e pamundur që presidenti rus Vladimir Putini   të sulmojë një vend të NATO-s, transmeton DPA.

"Asnjë person serioz nuk mund të flasë për qëllimin e Rusisë për të sulmuar NATO-n", deklaroi Orbani për "Bild"-n. 

Një sulm ndaj NATO-s është krejtësisht i pamundur - jo vetëm për Rusinë, por për këdo në botë - sepse  deri tani është bashkësia më e fortë ushtarake", shtoi Orbani. 

 Kryeministri hungarez tha se të gjitha vendet e NATO-s i qëndrojnë premtimit për siguri kolektive, që do të thotë se sulmi ndaj një aleati të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve.

Rusët kanë një histori dhe kulturë të ndryshme dhe një kuptim të ndryshëm për lirinë dhe dhe sovranitetin kombëtar se evropianët, tha Orbani i cili  javën e kaluar takoi Putinin në Moskë.

 "Por, ata janë racionalë, janë hiperracionalë", tha ai.

Si përgjigje të kundërshtimit se pushtimi i Ukrainës nuk ishte racional, ai u përgjigj: "Irracionaliteti dallon nga bërja e një gabimi në një llogaritje racionale". 

Orbani në intervistë e vlerësoi Donald Trampin si një "njeri i paqes".

Duke pasur parasysh zgjedhjet presidenciale në SHBA  në nëntor, Orbani tha se beson se presidenti amerikan Xho Bajdeni sërish nuk do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.   

 Pastaj lavdëroi edhe një herë rivalin republikan të Bajdenit, Donald Trampin.

"Ai është një biznesmen, i vetëndërtuar, ka një qasje tjetër për çdo gjë. Dhe  mendoj se kjo është e mirë për politikën botërore", tha Orbani "Të mos harrojmë se ai është një njeri i paqes", theksoi Orbani, duke shtuar se Trampi nuk ka nisur asnjë luftë gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë. 

 Orbani është i vetmi kryeministër i një vendi të BE-së që mbështet hapur republikanin edhe përpara se Trampi të zgjidhej president në vitin 2016.

 Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR