• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Opozita ruse në Berlin organizon protestat e para kundër luftës jashtë vendit

Opozita ruse në Berlin organizon protestat e para kundër luftës jashtë vendit

Berlin, 17 nëntor 2024 (MIA) - Opozita ruse në ekzil për shkak të represionit dhe e dobësuar nga konfliktet e brendshme, sot në Berlin organizon demonstratën e saj të parë të madhe jashtë vendit kundër invazionit në Ukrainë dhe presidentit rus Vlladimir Putin që do të jetë njëherësh test i kredibilitetit të tij politik.

Autoritetet ruse kanë çrrënjosur sistematikisht çdo mospajtim gjatë viteve të fundit, duke burgosur qindra apo edhe mijëra njerëz dhe duke e bërë të pamundur çdo veprim protestues.

Opozita e cila humbi figurën e saj drejtuese në shkurt, Aleksej Navalnin i cili vdiq në rrethana misterioze në burg është privuar nga mjetet për të vepruar në Rusi dhe për këtë arsye është detyruar të rifillojë lëvizjen nga jashtë.

Marshi në Berlin, ku ka një numër të madh të persekutuar dhe opozitarë rusë, do të mbahet sot në orën 14 në qendër të qytetit me plan për të përfunduar para ambasadës ruse.

Marshin e organizojnë tre figura të shquara të opozitës, Julia Navalni, e veja e Aleksej Navalnit e cila ka marrë drejtimin e lëvizjes së tij, Ilja Jashin, ish këshilltare e qytetit të Moskës e liruar së fundmi nga burgu dhe Vlladimir Kara-Murza, një kritik shumëvjeçar i Kremlinit që i ka mbijetuar burgut dhe dy tentimeve për helmim.

"Qëllimi i marshit është të bashkojë të gjithë ata që kundërshtojnë luftën agresive të Vlladimir Putinit në Ukrainë dhe represionin politik në Rusi", thuhet në kumtesën e organizatorëve.

Protestuesit do të kërkojnë tërheqje urgjente të trupave ruse në Ukrainë, ndërrim të Vlladimir Putinit dhe gjykimin e tij si "kriminel lufte" dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politik që mbahen në Rusi.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR