• e enjte, 26 dhjetor 2024

Opozita e Kosovës konfirmoi se e ka pranuar draft-statutin e AKS-së

Opozita e Kosovës konfirmoi se e ka pranuar draft-statutin e AKS-së

Prishtinë, 1 dhjetor 2023 (MIA) - Partitë opozitare parlamentare të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot kanë konfirmuar se nga Bashkimi Evropian e kanë pranuar draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, përgatitur nga ekspertë të BE-së, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Nga PDK-ja dhe LDK-ja përmes deklaratave të shkurtra për media kanë konfirmuar se nga Zyra e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, kanë marrë zyrtarisht draftin në gjuhën angleze.

"Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Zyra e të dërguarit special të BE-së për dialogun mes Kosovë-Serbi", deklaroi zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdulla. 

Të njëjtën deklaratë e ka dhënë edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi. 

"Dje e morëm zyrtarisht (projekt statutin)", deklaroi shkurt Halimi.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili ka thënë se komentet nga kjo parti do të publikohen pas diskutimit në organet e partisë.

"AAK-ja ka pranuar versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. I njëjti i është shpërndarë të gjithë anëtarëve të kryesisë se partisë dhe se ka kërkuar nga ta t’i bëjnë komentet e tyre lidhur me këtë draft- statut. Komentet do të diskutohen në mbledhjen e radhës që është thirrur më 7 dhjetor nga ora 17:00. Pas komenteve të anëtarëve të kryesisë, AAK-ja do të dalë me qëndrim publik lidhur me draft-statutin e Asociacionit. Deri në atë kohë nuk do të ketë prononcime të tjera për këtë temë”, tha Xhemaili. 

Kryeministri Albin Kurti paraprakisht ka deklaruar se draftin për Asociacionin ia ka paraqitur vetëm presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, sepse ndërmjetësit kanë kërkuar diskrecion të plotë në proces.

Opozita në Kuvend e kritikoi Kurtin për mos prezantimin e draftit, duke thënë se nuk mund të diskutojnë diçka që nuk e kanë parë.

Osmani dhe Kurti për këtë draft kanë thënë se ndërmjetësit nga BE-ja e kanë shkruar duke u kujdesur për letrën e Kushtetutës së Kosovës.

Pesë emisarë perëndimorë, të udhëhequr nga Lajçak dhe i dërguari special i presidentit amerikan Xho Bajden për Ballkanin, Gabriel Eskobar në Prishtinë dhe Beograd më 21 tetor paraqitën draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të cilin thanë se ishte model modern evropian. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR