• e diel, 06 tetor 2024

Ohri nikoqir i takimit të 23-të të Grupit të përhershëm të ekspertëve për murtajën afrikane

Ohri nikoqir i takimit të 23-të të Grupit të përhershëm të ekspertëve për murtajën afrikane

Shkup, 17 shtator 2024 (MIA) - Në Ohër nesër dhe pasnesër do të mbahet takimi i 23-të i Grupit të Përhershëm të Ekspertëve për Murtajën Afrikane të Derrave. Siç thonë nga AUV për MIA-n, në takim do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian (KE), Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), ekspertë të njohur të murtajës afrikane te derrat dhe përfaqësues të shërbimeve veterinare nga Rusia, Ukraina, Moldavia, Estonia, Polonia, Letonia, Lituania, Gjermania, Suedia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Rumania, Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Bullgaria dhe Italia.

Në kuadër të takimit dyditor do të prezantohet situata aktuale me sëmundjen në Evropë dhe rajon, masat e marra për vënien nën kontroll dhe çrrënjosjen e saj, si dhe bashkëpunimi ndërshtetëror i shërbimeve kompetente veterinare.

Do të prezantohen edhe aktivitetet e projektit rajonal “Aksioni Rajonal i BE-së për Çrrënjosjen e Sëmundjeve të Kafshëve në Ballkanin Perëndimor – 2” i financuar nga BE-ja.

Mesazh nga takimi do të dërgojë edhe drejtori i AUV-së, Oliver Millanov, sipas të cilit të gjithë të përfshirët dhe palët e interesuara duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për ta vënë nën kontroll sëmundjen dhe për ta çrrënjosur atë. sa/

foto: AUV

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR