• e enjte, 26 dhjetor 2024

OBSH për konsumimin e alkoolit dhe cigareve elektronike te adoleshentët: Gjendja është alarmante

OBSH për konsumimin e alkoolit dhe cigareve elektronike te adoleshentët: Gjendja është alarmante

Kopenhagë, 25 prill 2024 (MIA) - Konsumimi i alkoolit dhe cigareve elektronike te fëmijët e moshës prej 11 deri në 15 vjet është "alarmante" dhe kërkon aksion "urgjent" nga autoritetet, kumtoi dega evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në raportin e publikuar sot.

"Përdorimi i gjerë i substancave të dëmshme te fëmijët në shumë vende në rajonin evropian dhe më gjerë, paraqet kërcënim serioz për shëndetin publik, paralajmëroi drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge.

Ai kërkon tatime më të larta, kufizim të shitjes, reklamim dhe ndalesë të aromave për të kundërshtuar këtë trend.

Pas disa vitesh rënie të përdorimit të substancave psikoaktive, "disa të dhëna sugjerojnë se pandemia Kovid-19 ka shkaktuar një rritje të re të konsumit", thuhet në raportin e OBSH-së.

Raporti mbledh të dhëna nga 280,000 të rinj në Evropë, Azinë Qendrore dhe Kanada.

Alkooli ende është një substancë të cilin më së shpeshti e konsumojnë adoleshentët - 57 për qind nga 15-të vjeçarët kanë pirë pije alkoolike të paktën një herë, ndërsa nga dhjetë, pothuajse katër kanë konsumuar alkool në 30 ditët e fundit.

OBSH është e shqetësuar për rritjen e konsumit të cigareve elektronike, veçanërisht tek adoleshentët.

"Kalimi te cigaret elektronike si një zgjedhje popullore në krahasim me cigaret konvencionale kërkon ndërhyrje të synuara", thuhet në raport dhe tërheq vëmendjen për "vendosjen e dëmshme" të këtyre produkteve në video lojëra, programe argëtuese dhe përmbajtje të tjera që synojnë të rinjtë përmes  platformave multimediale. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR