• e premte, 27 dhjetor 2024

O'Brajan: Veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje në BeH janë rreziku më i madh për rajonin

O'Brajan: Veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje në BeH janë rreziku më i madh për rajonin

Uashington, 9 korrik 2024 (MIA) - Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Xhejms O'Brajan deklaroi se ekziston rreziku në Ballkan "disa beteja lokale të kthehen në konflikt politik dhe të prekë të gjitha shtetet në rajon", transmetoi Kliks.ba.

I pyetur se si e sheh situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, O'Brajan tha se rajoni i përket Evropës dhe "duhet të ecë përpara".

"Rreziqet kryesore janë në veri të Kosovës dhe me kërcënimet për shkëputje në Bosnje dhe Hercegovinë. Një hap që kemi bërë gjatë vitit të kaluar është se NATO është shumë më e fortë edhe si forcë parësore si pjesë e forcës së KB-së, KFOR-it, në veri të Kosovës, por edhe në mbështetje të EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe mendoj se mund të parandalojë bandat e vogla lokale nga shkaktimi i dhunës, mendoj se me këtë kemi mundësi për proces politik - është dialog, plan për rritje...", tha O'Brajan.

I pyetur pse SHBA-ja mbështeti tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe pse Prishtinës iu lejua të blejë dronë, kur "sipas Rezolutës 1244, KFOR ishte e vetmja forcë e armatosur e lejuar në Kosovë", O'Brajan tha se rezoluta vendosi "një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës".

"Ai proces çoi në pavarësinë e Kosovës. Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj si çdo shtet tjetër. Dhe këtë e bën në kuadër të një procesi transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, si një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e saj, por jo për të dërguar një kërcënim për fqinjët. Në përgjithësi, është një hap përpara drejt stabilitetit në rajon dhe do të ketë mbështetjen e SHBA-së", tha O'Brajan.


Duke e komentuar qorrsokakun në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të bisedojë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe, O'Brajan tha se është "shumë e qartë se e mbështesim progresin" me Unionin. 

"Janë rreth 400 asociacione të komunave në të gjithë Evropën dhe ne mendojmë se ky do të ishte një i tillë," tha ai.

Dialogu, shtoi ai, është pjesë e rrugës për zgjidhjen e shqetësimit. 

"BE-ja tha se çmimi i ecjes përpara si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën është përafrimi i plotë me dialogun. Unë do të vërej se ne kemi mjete të tjera - krijimi i Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor ofron një mënyrë për të bashkëpunuar për gjëra të tilla si tranziti i mallrave përtej kufijve, bashkëpunimi për taksat, të gjitha llojet e çështjeve praktike që duhet të fillojnë të tregojnë përfitime për qytetarët dhe demonstrojnë përfitimet e bashkëpunimit në të gjithë rajonin", tha O'Brajan. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR