Objekt kyç energjetik në zemër të Shkupit: EVN Maqedoni vë në funksion trafostacionin e ri strategjik “Centrallna”
- Në një ngjarje solemne në prani të përfaqësuesve më të lartë të qeverisë, të udhëhequr nga Kryeministri Hristijan Mickoski, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend, EVN Maqedoni zyrtarisht vuri në përdorim trafostacionin e ri të tensionit të lartë “Centrallna” në qendër të Skopje.
- Post By Fami Bajrami
- 16:33, 27 mars, 2026
Shkup, 27 mars 2026 (MIA) – Në një ngjarje solemne në prani të përfaqësuesve më të lartë të qeverisë, të udhëhequr nga Kryeministri Hristijan Mickoski, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend, EVN Maqedoni zyrtarisht vuri në përdorim trafostacionin e ri të tensionit të lartë “Centrallna” në qendër të Skopje.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bordit drejtues të EVN Maqedoni, Vollfgang Maier, duke shprehur mirënjohje për institucionet, qytetin e Shkupit dhe Komunën Qendër, theksoi se ky investim prej 22 milionë eurosh përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe stabilizimit të rrjetit elektroenergjetik në zonën urbane të qytetit. Ai nënvizoi se bëhet fjalë për infrastrukturën e parë energjetike të këtij lloji të ndërtuar në Shkup, madje edhe në rajon.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se ky investim i rëndësishëm, që rrit stabilitetin e sistemit dhe forcon perspektivën energjetike të vendit, do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve për tërheqjen e investimeve të reja në vend.
Ministrja për energjetikë, Sanja Bozhinovska deklaroi se me zhvillimin e shpejtë të Shkupit rritet edhe nevoja për një rrjet energjetik të qëndrueshëm dhe modern. Sipas saj, trafostacionet ekzistuese janë të vjetruara dhe kanë tejkaluar kapacitetet e tyre, ndaj “Centrallna” nuk është vetëm një objekt i ri, por një zgjidhje kyçe që garanton siguri për qytetarët dhe krijon kushte për zhvillim të mëtejshëm urban.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski potencoi se realizimi i një objekti të tillë në zemër të qytetit është një arritje e jashtëzakonshme dhe rezultat i përkushtimit të përbashkët të EVN dhe Qeverisë për zhvillimin e sektorit energjetik si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në vend.
Në ngjarje u drejtua edhe ambasadori i Republikës së Austrisë, shkëlqesia e tij Martin Pammer, i cili theksoi se EVN, si një nga investitorët më të mëdhenj në vend, është faktor i rëndësishëm në procesin e afrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.
Trafostacioni “Centrallna” veçohet për arkitekturën kompakte dhe pajisje me teknologji të lartë, sepse është ndërtuar në një sipërfaqe dhjetë herë më të vogël se objektet standarde, me kapacitet prej 120 MW dhe me impiant GIS për 110 kV (Gas Insulated Switchgear) – teknologjia më moderne në këtë segment. Objekti është i pajisur me sisteme të avancuara për menaxhim në distancë, monitorim të kabllove, mbrojtje kundër zjarrit, si dhe pajisje elektronike për kontroll dhe mbrojtje. Për herë të parë në vend përdoren kabllo 110 kV për furnizimin e një objekti të tillë.
Në realizimin e projektit morën pjesë mbi 30 kompani, përfshirë prodhues liderë botërorë të pajisjeve energjetike si GE, Siemens, Konçar, Astor, Dalekovod Zagreb, Adra, Benning PSAM, BMG dhe të tjera.
Këtë vit, EVN Maqedoni shënon 20 vjet prani në tregun energjetik në vend. Ky trafostacion përfaqëson kulmin e investimeve të realizuara gjatë dy dekadave të fundit, të cilat në total kapin vlerën mbi 800 milionë euro. Me vënien në funksion të “Centrallna”, kompania rikonfirmon përkushtimin për modernizim të vazhdueshëm të rrjetit elektroenergjetik dhe për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm, të sigurt dhe efikas me energji elektrike për konsumatorët.