• e enjte, 26 dhjetor 2024

Obama: Disa nga aksionet e Izraelit në Gazë mund të kenë kundërefekt

Obama: Disa nga aksionet e Izraelit në Gazë mund të kenë kundërefekt

 Uashington,  24 tetor 2023 (MIA)  -  Ish-presidenti i SHBA-së, Barak Obama, paralajmëroi se disa nga aksionet e Izraelit në luftën kundër Hamasit, si ndërprerja e furnizimit me ushqim dhe ujë për Rripin e Gazës, mund t'i "forcojnë palestinezët me gjenerata të tëra" dhe ta dobësojnë mbështetjen ndërkombëtare për Izraelin.

"Çdo strategji ushtarake izraelite që i injoron viktimat njerëzore, mund të përfundojë si kundërefekt", deklaroi dje Obama. 

Në komente të rralla për krizën aktuale të politikës së jashtme, Obama tha se çdo strategji ushtarake izraelite që e  injoron çmimin njerëzor të luftës "në fund mund t'i kthehet Izraelit". 

"Vendimi i Qeverisë izraelite që të ndërpresë ushqimin, ujin dhe energjinë elektrike për civilët e bllokuar në Gazë jo vetëm që kërcënon të përkeqësojë krizën humanitare në rritje, por mund më tej t'i forcojë qëndrimet palestineze për gjeneratat e ardhshme, ta ulë mbështetjen globale për Izraelin, në dobi të armiqve të Izraelit dhe i minojnë përpjekjet afatgjata për të arritur paqen dhe stabilitetin në rajon", tha Obama. 

 Izraeli rëndë ka bombarduar Gazën pas sulmit të grupit militant palestinez Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor ku humbën jetën më shumë se 1.400 persona. Në sulmet ajrore izraelite deri më tani kanë humbur jetën mbi 5.000 palestinezë, theksojnë personat zyrtarë të Gazës.

 Obama e dënoi sulmin e Hamasit dhe e përsëriti mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit që të mbrohet, ndërsa në të njëjtën kohë paralajmëroi për rreziqet për civilët në luftëra të tilla.

Nuk është e qartë nëse Obama e ka koordinuar deklaratën me presidentin amerikan Xho Bajdenin, i cili ishte nënkryetar i tij për tetë vjet. 

 Gjatë mandatit të tij presidenial, Obama shpesh e ka mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje në fillim të konfliktit me grupin islamik palestinez Hamas në Gazë, por shpejt i bëri thirrje Izraelit  për përmbajtje pas rritjes së viktimave palestineze në sulmet ajrore.

Rripi i Gazës, i gjatë 45 kilometra dhe shtëpi e 2.3 milionë personave, është nën kontrollin politik të Hamasit, një grup islamik i mbështetur nga Irani, që nga viti 2007, por është nën një bllokadë izraelite. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR